Sukth, 21 prill 2011, NOA- Kryeministri Berisha pasditen e sotme u ndal në Sukth për të prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” të kësaj bashkie, Sherif Fortuzin.
Edhe në këtë takim Kryeministri Berisha apeloi për qetësi duke bërë thirrje që kjo fushatë të shndërrohet në fushatën e vlerave qytetare, fushatën e tolerancës, fushatën e dialogut, fushatën e mirëkuptimit dhe të shmanget çdo tension.
Kryeministri premtoi se së bashku me zotin Fortuzi në krye të bashkisë së Sukthit, me punë përkushtim dhe ndershmëri, Sukthi do të shndërrohet në një nga zonat më të zhvilluara të Shqipërisë, si një qytet turistik, industrial, i cili ecën i sigurt drejt mëkëmbjes dhe standardeve më të mira evropiane.
Gjatë fjalës së tij, lideri i maxhorancës kujtoi edhe ish-kryebashkiakun e Sukthit, Guiliem Hasani, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë.
Ai u tha qytetarëbe se Sherif Fortuzi do të shndërroj në realitet të gjitha projektet që Guiliam Hasani kishte për qytetin e Sukthit.
Ndërkaq ai tha se, “4 vitet që shkuan në këtë bashki dhe në fshatrat e kësaj bashkie ne kemi asfaltuar, ndërtuar dhe rindërtuar 25 km rrugë. Ju garantoj se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë asnjë km rrugë të paasfaltuar në këtë bashki. Në bashkinë tuaj ne kemi ndërtuar një shkollë 9 vjeçare. Do të ndërtojmë dhe do të rindërtojmë çdo shkollë , në mënyrë që bashkia të ketë shkollat më moderne që meriton. Kemi ndërtuar ujësjellësa, por ju garantoj se gjatë 4 viteve që vijnë do të ndërtojmë ujësjellës në çdo fshat për ujë 24 orë për banorët e bashkisë suaj. Do të finalizojmë sistemin e kanalizimeve, do të legalizojmë fshatin Hidrovor dhe do të zhvillojmë zonat më të fuqishme turistike të rajonit. Sukthi turistik është motoja e 4 viteve që vijnë”.
Ai e cilësoi alternativën e maxhorancës si alternativën e djersës, e përkushtimit, e mendjes dhe vizionit të qytetarëve, duke çuar kështu në ecje me hap të sigurt drejt Europës.
Ai e cilësoi rrugën e vetme të socialistëve si rrugën e sharjeve, të fyerjeve dhe mashtrimeve.
“Do ti them këtu shokut Edi Rama se fyerjet, sharjet janë dëshmi e varfërisë ekstreme , e mungesës së projekteve, e mungesës së arritjeve. Kur nuk ke asgjë që tu tregosh qytetarëve që ke qeverisur 4 vitet e fundit, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm të adresohesh tek kazanët e fjalorit dhe të përdorësh fjalët që përdor. Por ne do të merremi me projektet tuaja , me shkollat tuaja, me kopshtet tuaja, me ujësjellësit tuaj, me turizmin tuaj, me rrugët tuaja, ne do të bëjmë gjithçka që këto 4 vite, Sukthi të jetë një vend i zhvilluar, Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar”, deklaroi kreu i qeverisë.
Kryeministri u kërkoi votat qytetarëve duke thënë se ato janë të bazuara në projekte konkrete.
a.y/NOA