English

Dako: Xhaferraj synon tu shuaj etjen qytetarëve me gotën bosh

Durrës, 21 prill 2011, NOA- Kandidati i opozitës për qytetin e Durrësit Vangjush Dako gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takime me banorët e lagjes nr.18 si dhe në ambientet e një aktiviteti privat në fushën e këpucëve.

Gjatë takimit me qytetarët kryebashkiaku i Durrësit prezantoi një projekt për një park çlodhjeje për të moshuarit dhe argëtimi për fëmijët e të rinjtë.

Sipas tij, projekti për një park të madh shplodhës vjen natyrshëm pas një sërë ndryshimesh të thella që ka pësuar qyteti i Durrësit.

Ai ka ftuar të pranishmit që të mos u besojnë premtimeve mashtruese që bën rivali i tij i PD-së, Ferdinand Xhaferraj, të cilat synojnë t’u shuajnë etjen qytetarëve me gotën bosh.

Në takimin e dytë të zhvilluar në Shkozet në ambientet e një aktiviteti tregtar në fushën e këpucëve, ku shumica e të punësuarve janë gra, ai theksoi se barazia gjinore është vepër konkrete e Durrësit.

Dako tha se, Bashkia e Durrësit është e vetmja në Shqipëri që ka një zyrë për barazinë gjinore.

“Ne nuk jemi mjaftuar vetëm me hapjen e kësaj zyre, por kemi zhvilluar edhe punë konkrete në drejtim të ndihmës sociale që u kemi afruar shumë grave në nevojë. Rreth 150 gra kanë marrë shërbim mjekësor falas, falë kontributit të Bashkisë. Kjo është një provë serioze e angazhimit tonë që puna e Bashkisë të ketë edhe dimensionin social, dimension i cili ka të bëjë me dinjitetin njerëzor dhe ndërtimin e një shoqërie sa më të drejtë”, ka nënvizuar Dako.

Më tej ai shtoi se, Bashkia e Durrësit ka taksat më të ulëta për qytetarët e saj, vetëm 1400 lekë në vit për gjelbërimin, ndriçimin, pastrimin e qytetit etj.

Dako tha se qeveria e Xhaferraj vetëm për taksën e televizionit publik, që vetëm publik nuk është, u merr qytetarëve 1440 lekë në vit.

“Të deklarosh se do ulësh taksat me 50% siç bën Xhaferraj, dëshmon jo vetëm që mashtron, por edhe një pozicion mjerues për një ish-ministër që s’ka dijeninë më minimale për ligjin dhe sistemin e taksave në Shqipëri”, deklaroi Dako.

a.y/NOA

KOMENTE