English

Detaje zbulimi, terroristi i bombave, me mision në Shqipëri dhe Kosovë

Londër, 21 Prill 2011 NOA – Një terrorist i shumëkërkuar i cili akuzohet për organizim të vendosjes së bombave me pasoja në njerëz, u zbulua të jetë gjendur në Shqipëri dhe Kosovë me një mision sekret të qeverisë britanike për të parë gjendjen e myslimanëve shqiptarë.

Lajmi u konfirmua nga burime në Londër që thonë se Rashi Harud Asuan, i njohur si bombëvënës në stacionet e trenave të Londrës, gjatë periudhës së vitit 1999 ka punuar për shërbimin e fshehtë britanik M16 në Kosovë.

Pohimin e ka bërë në Fox News, John Loftus, një nga ish-drejtuesit e shërbimit sekret britanik M16 gjatë një interviste e cila nga ky kanal nuk u lejua të transmetohej.

Ai tha se Shërbimi M16, kishte dërguar Rashi Harud Asuan në Ballkan, me mision në Shqipëri dhe Kosovë, për të parë nga afër dhe më tej për të përpiluar një raport mbi respektimin e të drejtave të myslimanëve të Shqipërisë dhe Kosovës nga viti 1990 dhe deri në fund të shekullit, pra më 2000.

“Ky projekt nisi me iniciativë të Shërbimit sekret britanik M16 në bashkëpunim me FBI dhe ishte emërtuar me emrin e koduar Al Muhajiroun”, ka deklaruar ish drejtuesi i lartë i Shërbimit të fshehtë britanik.

John Loftus, i specializuar në trajtimin e çështjeve të terrorizmit, kishte deklaruar se Rashi Harud Asuan, qëndronte i fshehur në një vend, me në identitet të ri, të dhënë nga M16.

Intervista që bëri zbulimin tronditës, ishte bërë në vitin 2005 dhe ishte ndaluar deri tani transmetimi në Fox News. Madje ajo kishte rënë në dorë të M16, por arriti të dalë në mediat amerikane edhe pse u censurua nga rrjeti televiziv FOX dhe televizioni më prestigjioz informativ i SHBA, Fox News.

Por në këtë intervistë, John Loftus pretendon se përkundër qëllimit që M16 e dërgoi Rashi Harud Asuan në Shqipëri dhe Kosovë, në të vërtetë ai kishte një tjetër mision, atë të Al Kaida ku ishte pjesë, për të organizuar myslimanët me qëllim që të rrëzonin regjimin pushtues të Milosheviçit.

e.t/NOA

KOMENTE