Tiranë, 21 prill, NOA – Hap dyert për 50 fëmijë çerdhja nr.42 në Tiranë, në Njësinë Bashkiake nr.4., rikonstruksioni i të cilës është realizuar me të ardhurat e Bashkisë së Tiranës.
Siç bëhet me dijeni nga burime të Bashkisë së Tiranës, fëmijët e kësaj çerdheje do të mund të përfitojnë një shërbim cilësor, ndërsa janë krijuar edhe dhomat e veçanta për mjekun e punonjësin social që do shërbejnë brenda saj.
Bashkia e Tiranës synon përmirësimin e infrastrukturës së çerdheve dhe kopshteve, institucione këto tepër të rëndësishme për mirrërritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve.
Vetëm gjatë këtyre dy viteve të fundit, janë ndërtuar dhe rikonstruktuar, me fonde nga të ardhurat e bashkisë, 5 çerdhe dhe 5 kopshte për fëmijët e kryeqytetit, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimit në to, por edhe duke rritur hapësirat në dispozicion të vogëlushëve.
n.e/NOA