English

Haxhinasto ndan çmimet e konkursit "Në vend të përplasjes, aleancë e qytetarëve: opinioni im"

Tiranë, 21 prill, NOA –Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto mori pjesë sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Konkursit për nxënësit e shkollave të mesme me temë "Në vend të përplasjes, aleancë e qytetarëve: opinioni im".

Ky konkurs për esenë më të mirë, u zhvillua nga Instituti i Medias, në kuadër të programit të përbashkët "Kultura dhe trashëgimia për zhvillim social dhe ekonomik" që realizohet nga UNESCO, PNUD në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme.

Haxhinasto i dorëzoi çmimin e parë, nxënëses së shkollës së Mesme të Përgjithshme "Petro Nini Luarasi", Megi Mulita, ndërsa uroi dhe pjesëmarrësit dhe fituesit e tjerë të këtij konkursi.

Në fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni, Haxhinasto vlerësoi nxënësen fituese Mulita për këtë ese analitike, veçanërisht për 'konkluzionet që ajo ka arritur me pjekurinë e moshës së saj'.

Ai përshëndeti këtë iniciativë shumë të mirë të Institutit të Medias, duke shtuar se kjo duhet të bëhet traditë, pasi talentet e reja duhen kultivuar.

Në fund të fjalës së tij, Haxhinasto e ftoi nxënësen fituese Mulita që të vijë një muaj në Ministrinë e Jashtme, për t'u njohur me këtë institucion dhe me çështje të ndryshme të politikës së jashtme.

n.e/NOA

KOMENTE