English

Imami në Cërrik: Angazhohuni si në ushtri, për fitore si ajo e 2009-ës

Cërrik, 21 prill 2011, NOA – Ministri i Mbrojtjes Arben Imami në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit u kërkoi votën banorëve të Cërrikut për kandidatët e “Aleancës për Qytetarin” duke u bërë me dije atyre se fitorja në 8 maj është në duart e zgjedhësve.

“Ne duam fitoren në Cërrik kësaj rradhe dhe kjo fitore është në duart tuaja. Nëse nuk punojmë fuqishëm e nëse nuk bashkëpunojmë edhe më partitë e tjera të koalicionit, nuk do të ketë fitore”, deklaroi Ministri i Mbrojtjes gjatë takimit me simpatizantë në Cërrik.

Në krye të shtabit elektoral të Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, ministri Imami kërkoi nga drejtuesit e strukturave dhe anëtarët e PD-së që të punohet seriozisht me qëllim që në zgjedhjet lokale të 8 majit, koalicioni i djathtë qeverisës “Aleanca për Qytetarin” të dalë fitimtare.

“Unë vij këtu si i deleguar i Partisë Demokratike, e cila konsiderohet edhe lokomotiva e koalicionit më të madh, në këto 20 vite të demokracisë në vendin tonë”, nënvizoi Imami.

Duke prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Servet Duzha, ministri Imami e vlerësoi atë si një nga kandidatët më të mirë të koalicionit, i cili punon dhe mendon për zhvillimin e Cërrikut.

“Por ne fituam në zgjedhjet e vitit 2005, fituam në vitin 2009, ne jemi 6 vjet në pushtet, do të rrimë minimalisht edhe 6 vjet të tjera. Ka ndryshuar Shqipëria, por nëse nuk ndryshojmë edhe ne, nuk mund të mbijetojmë”, nënvizoi ministri Imami.

Imami u kërkoi anëtarëve të degës së PD-së në Cërrik që të punojnë duke u organizuar si në ushtri, me qëllim që t’ia dalin mbanë.

mit/NOA

KOMENTE