English

Kjo është ëndrra jonë

Kjo është ëndrra jonë që ne e kemi bashkë me të gjithë qytetarët e këtij qyteti. Për këtë ëndërr ne punojmë çdo ditë, duke përmbushur shpresa e duke zgjidhur probleme. Probleme që nuk zgjidhen lehtë, por probleme që ne kemi treguar se dimë t’i zgjidhim

Nga Edi Rama

Në të gjithë këto vite dhe në këto rrugë plot ëndrra shpresa dhe sigurisht vështirësi dhe sakrifica, ne u kemi dhënë qytetarëve të Tiranës më shumë se gjysmë milioni metër katrorë trotuare tërësisht të rindërtuara. Madje sot trotuaret e Tiranës po nisin të kthehen në standardet më të larta të BE-së, me rampat për karrocat e fëmijëve, invalidët, biçikletat e deri tek pllakat speciale për të verbrit. Shprehje e horizontit pa kufi të ëndrrës dhe njëkohësisht të ambicies sonë për qytetin që ne duam dhe në qytetin në të cilin ne jetojmë. Vetëm 150 mijë metra katrorë rrugë ishin të kalueshme normalisht në kohën kur Saliu dhunonte dhe sundonte Tiranën. Sot vetëm rrjeti i qarkullimit të Tiranës është normalizuar në 1.65 milion metër katrorë asfalt dhe me një kapacitet prej 480 mijë mjetesh në orë. I them këto sepse këto dhe shumë e shumë të tjera si një rend i pafundmë punësh të kryera na bëjnë ne jo vetëm krenar, por njëkohësisht edhe të sigurt për projektet e mëdha që kemi në dorë dhe për fuqinë realizuese që na jep jo vetëm ëndrra jonë për Tiranën Europiane, por edhe eksperienca, aftësia dhe përkushtimi tashmë i provuar i një institucioni të standardeve europiane unik në Shqipëri, që quhet Bashkia e Tiranës. Vetëm 4 semaforë ndizeshin në rrugët e Tiranës që dhunonte dhe sundonte Saliu, duke e kthyer qytetin nga qytet në një tokë të askujt, mbushur me ndërtime pa leje, kioska dhe plehra nga të katër anët. Vetëm 4 semaforë, sot janë në punë 53 të tillë dhe janë rimodeluar 4 kryqëzime të mëdha e ndërkohë është ndërhyrë në 347 pika kyçe për qarkullimin. Gjë që ka bërë të mundur që ne të pararendim të gjithë rritjen e madhe të makinave në qytet. E në ndërkohë që bën të mundur që sot ne të kemi një transport publik të standardeve të BE-së, që mbulon 90 e pak përqind të territorit, gjë që do të shkojë në 100% edhe me futjen e linjës së re të Mihal Gramenos. E vetmja linjë që ka mbetur ashtu siç ishte është linja kinostudio-kombinat. Dhe e dini pse? Për arsye se Saliu dhe Iliri e bllokuan transformimin e saj, duke marrë peng këshillin bashkiak, me qëllimin e mbrapshtë dhe qasjen primitive antiqytetare që qytetarët e Tiranës të mërziteshin, të dëshpëroheshin dhe të bëheshin agresiv ndaj Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë që e kundërta do të ndodhë në 8 maj. Qytetarët e Tiranës, qytetarët e kombinatit dhe të kinostudios dhe të gjitha aksit të linjës kinostudio-kombinat ashtu si edhe qytetarët e njësisë suaj do të votojnë përveç të tjerash edhe për të pasur një linjë moderne transporti publik me autobusë të standardeve të BE-së, 100% me ajër të kondicionuar, 100% me kamera sigurie në bord dhe 100% me platforma për personat me aftësi të kufizuar. Kjo është Bashkia e Tiranës, kjo është rruga jonë. Kjo është mënyra sesi ne e shohim marrëdhënien tonë me qytetarët pa dallim. E në ndërkohë rikthehem këtu në këtë shesh, në këtë hapësirë të transformuar rrënjësisht, që do të jetë pjesë e transformimit rrënjësor edhe të sheshit “Skënderbej” dhe të gjithë kësaj zemre të kryeqytetit, e cila në një kohë shumë të afërt do të jetë një nga pikat e referimit për zhvillimin urban në të gjitha rajonin e Ballkanit. Do të jetë një nga hapësirat publike pa asnjë dyshim më të komentuarat pozitivisht në nivel Europian për transformimin dhe për standardet estetike dhe mjedisore që do t’ju ofrojë të gjithë qytetarëve të Tiranës. E pra atraksioni i jashtëzakonshëm turistik që do të përbëjë si zemra e kryeqytetit të të gjithë shqiptarëve, si zemra e kryeqendrës së re të rajonit. Por në ndërkohë që komunikojmë sot dhe kemi një mjedis të mbjellë me plot pemë të reja është vendi të kujtojmë se janë 55 mijë pemët që janë mbjellë në Tiranë në këto vite. Janë 55 mijë pemët që i kanë dhënë Tiranës një përmasë të gjelbërt, tërësisht të re dhe që i japin qytetarëve të Tiranës besimin e plotë për ta parë të afërt dhe të prekshme ëndrrën tonë të një Tirane të gjelbëruar dhe me 7 metër katrorë gjelbërim për çdo banor të saj, standard europian. S’ka dyshim që angazhimi ynë është tërësor dhe në të gjitha drejtimet. E një nga këto drejtime është kujdesi për fëmijët, për të rejat dhe të rinjtë e këtij qyteti. Kujdesi për bebet, për fëmijët në kopsht, për nxënësit në shkollë. Një bebe që lind në qytetin tonë, të nesërmen që dashuria e prindërve e sjell në jetë, ka një çek të Bashkisë së Tiranës. Çekun e bebes, që është edhe shprehja më kuptimplotë e marrëdhënies tonë brenda një komuniteti që ne e shohim si një tërësi individësh, familjesh, krahinash, besimesh, si një tërësi ku gjëja më e çmuar është larmia dhe diversiteti. Një larmi dhe një diversitet që ne duam ta kultivojmë duke u thënë të gjithëve se Tiranën ne e duam si një qytet të bashkëjetesës qytetarë dhe demokratike mes të gjithëve. E duam si vendin ku realizohen ëndrrat dhe shpresat e atyre që vijnë nga familje të vjetra tiranase dhe atyre të tjerëve që lindin në familje të reja. Në familje që kanë zbritur drejt Tiranës si dikur shkohej drejt Amerikës për të zbuluar rrugën drejt ëndrrës së një jetë të mirëqenë. E pra kjo është ëndrra jonë që ne e kemi bashkë me të gjithë qytetarët e këtij qyteti. Për këtë ëndërr ne punojmë çdo ditë, duke përmbushur shpresa e duke zgjidhur probleme. Probleme që nuk zgjidhen lehtë, por probleme që ne kemi treguar se dimë ti zgjidhim. Ashtu siç i kemi zgjidhur do ti zgjidhim edhe më tutje. E kështu ne u japim respektin maksimal nxënësve më të mirë të Tiranës, që marrin një bursë nga Bashkia e Tiranës. Marrin një bursë si qytetarë të nderuar. Qytetarë të nderuar dhe shembuj heroizmi në kuptimin më të mirë të fjalës. Shembuj të heroizmit qytetar. Djem e vajza që punojnë, studiojnë, mësojnë dhe arrijnë t’ju kthejnë prindërve investimin e tyre duke shkuar në shtëpi me të gjitha 10-ta. E për këto të gjitha 10-ta Bashkia e Tiranë u është mirënjohës dhe u jep një bursë. Një bursë nga e cila kanë përfituar mijëra e mijëra nxënës dhe do të përfitojnë mijëra e mijëra të tjerë e kështu me radhë deri tek më të moshuarit. Për më të moshuarit ne kemi hapur qendra të posaçme. Do të vazhdojmë të hapim qendra të tjera. Ashtu sikundër i kemi lehtësuar pensionistët në detyrimet ndaj bashkisë. Një pensionit paguan thuajse 10 herë më pakë sesa gjithë të tjerët. Ndërkohë që veteranët dhe invalidët nuk paguajnë asnjë taksë dhe asnjë tarifë për Bashkinë e Tiranës. Kjo është politika jonë. Kjo është mënyra sesi e shohim ne jetën e këtij komuniteti dhe sesi shkojmë përpara të gjithë sëbashku. E në ndërkohë është shumë e rëndësishme të thuhet sot se ne u shërbejmë 66 mijë nxënësve të qytetit, në shkolla të mesme, 9 vjeçare, që janë tërësisht të rindërtuara, apo ndërtuara nga e para. Kemi rindërtuar 33 shkolla ekzistuese por ama i kemi shtuar 54 mijë metra katrorë të standardeve europiane, e barabartë me 18 shkolla të reja. Ndërkohë që kemi ndërtuar nga themeli 7 shkolla të reja e do të vazhdojmë të ndërtojmë të tjera. Të bindur se do të plotësojmë kushtin e domosdoshëm për të patur standardin europian të numrit të nxënësve për klasë, ndërkohë që deri më sot e kemi ulur atë ndjeshëm dhe jemi fare afër realizmit të këtij objektivi. Është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët ta shohin 8 majin si ditën kur duhet të marrin pjesë në një vendimmarrje me rëndësi kombëtare. Zgjedhjet e 8 majit janë zgjedhje thelbësisht politike, jo thjesht për faktin se prej dy vitesh opozita është përball qeverisë të kthyer në regjim për shkak se u vodhën vota që të vidhet Shqipëria dhe u vranë qytetarë të pafajshëm që qeveria e ashtuquajtur, se në fakt është një regjim kusarie, të vazhdojë të vjedhë. Por këto zgjedhje janë thelbësisht politike dhe për një arsye tjetër, një arsye thelbësore që ka të bëj fare thjesht me faktin se qytetarët në 8 maj do të zgjedhin kryetarë bashkish dhe komunash. Do të zgjedhin kryetarët e njësive vendore, që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me territorin dhe menaxhimin e tij. Është dita për të ndryshuar rrënjësisht politikën kombëtare mbi territorin. Është dita për të ndaluar dorën shkatërruese të një politike qeveritare mbi territorin, që nuk është gjë tjetër vetëm politika e shfrytëzimit barbar të pasurive natyrore të këtij vendi dhe e shkatërrimit të përditshëm të potencialeve të jashtëzakonshme të këtij vendi. Shiheni sesi zhvillohet territori jashtë kufijve të Tiranës. Shiheni se çfarë ndodh në kodrat e Selitës, mu pranë kopshtit zoologjik, ku ishin ullishtat e sot ngrihen pallate jashtë çdo lloj standardi europian të projektimit dhe të përfytyrimit të së ardhmes. Shiheni çfarë ndodh nga ana tjetër, në Kashar, në Paskuqan, në Kamzë. Janë realitete drithëruese, që janë në fakt modeli i menaxhimit të territorit të Saliut. Modeli primitiv, modeli i zhvillimit të aty për atyshëm, modeli i barbarizmit të natyrës dhe i brutalizmit të jetës urbane. Modeli i kërpudhëzimit, shiheni se çfarë ndodh nga Tirana deri në Durrës. Hapësira të tëra që kanë të gjithë potencialin e nevojshëm për tu kthyer në fuqi e madhe të ekonomisë jo të Tiranës, jo të Durrësit as të thjeshtë Shqipërisë por të të gjithë rajonit, për të prodhuar mirëqenie dhe punësim për familjet e zakonshme të këtij vendi. Ndërkohë që ajo çka ndodh është vetëm kërpudhëzim, ndërtime kuturu, humbje e përditshme e këtyre potencialeve. E për të shkuar më tej në Fushë Krujë, në Krujë, apo për të zbritur në vijën bregdetare të Durrësit, ku po shkatërrohen të gjitha kodrat, të gjitha ullishtat për të ngritur male me pallate, jashtë çdo lloj përfytyrimi europian. Jashtë çdo lloj rruge të zhvillimit në vendet me zhvillim të qëndrueshëm ekonomikë. E pse e gjitha kjo? E gjitha kjo sepse ata që sot qeverisin Shqipërinë me vota të vjedhura janë shumë larg rrugës së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomikë. Janë aq larg sa ne kemi një të ashtuquajtur kryeministër të vendit që sorollatet nëpër Shqipëri e krenohet me 300 metra asfalt këtu, 200 km asfalt atje, e 7 km këtej, një çezmë andej, ca kanale këtej, një ujësjellës këtu. Pra të gjitha punë që janë në fakt punë komunale, janë punë që duhet ti bëjnë njësitë vendore dhe për të cilat duhet të përgjigjen kryetarët e njësive vendore. Jo kryeministri i vendit. Kryeministri i një vendi normal duhet tu thotë qytetarëve se çka bërë për jetesën e tyre, për familjen e tyre, për shërbimet ndaj tyre. Sali duhet tu thotë shqiptarëve çka bërë për punësimin. Si ka mundësi që Shqipëria ka sot një milionë të papunë? Si ka mundësi që gjithmonë e më shumë shqiptarë humbasin mundësinë për të jetuar e punuar me punë të ndershme, e ndërkohë përditë e më shumë kthehen në shtëpi duar zbrazët, për shkak se lekun ua merr si era nga xhepi taksa e pabesë inflacionit. Si ka mundësi që ndërkohë që ky zotëri u thotë shqiptarëve se u rriti rrogën e pensionin, menjëherë rriten shumë fish çmimet në treg. Si ka mundësi që nafta nga 200 lekë një vit më parë ka shkuar 1800 lekë? Që do të thotë rritje e të gjitha produkteve që kanë të bëjnë me naftën si bazë, si lëndë djegëse për prodhim. Si ka mundësi që familjet e zakonshme të këtij vendi të mund ta mbërrijnë fundin e këtij muaji në kushtet kur kanë këtë pafuqi blerëse, kur kanë këtë pamundësi për të punuar dhe kur kanë në fakt kaq të mbyllur rrugën për të jetuar? Nuk ka mundësi, në këto kushte jo! E prandaj ka një rrugë tjetër që fillon nga nxjerrja e Saliut si i papunë për të pasur punësim për 1 milionë të tjerë. Vijnë vërdallë duke u munduar ta gënjejnë përsëri, duke i treguar përsëri broçkulla. Duke i folur e stër folur për një mrekulli të madhe ekonomike. Për një ekonomi që vrapon me ritmet më të shpejta në botë. Për një ekonomi që zhvillohet si askund tjetër e që bota mbarë na e paska zili. Ndërkohë që familjet e zakonshme të këtij vendi shtojnë listat e borxheve nëpër dyqane. Ndërkohë që familjet e zakonshme të këtij vendi nuk arrijnë dot të paguajnë faturat për energji e për ujë. Nuk arrijnë dot të paguajnë ilaçet për më të moshuarit apo për të sëmurët. Janë dramatike historitë që dëgjon në farmaci, ku tregojnë se njerëzit kanë filluar të përgjysmojnë dozat e ilaçeve të domosdoshme, për shkak se nuk i paguajnë dot. E të shënojnë emrin në lista ilaçesh. Kjo është historia që ne jetojmë sot dhe kjo është historia që jetojnë sot familjet e zakonshme të këtij vendi. Ndërkohë që një histori e re është e mundshme. Një rrugë e re është e mundshme. Një zhvillim i ri i madh, gjithëpërfshirës është i mundshëm dhe e vetmja rrugë për këtë jemi ne. Ne jemi e vetmja rrugë sepse kemi një vizion europian për zhvillimin e këtij vendi. Sepse ne kemi strategji zhvillimi të këtij vendi. Sepse ne e dimë mirë se çfarë ëndrrash dhe shpresash kanë njerëzit e këtij vendi dhe në ndërkohë se çfarë mundësish kanë në këtë vend për ti bërë realitet këto ëndrra dhe shpresa. Përmes një programi që është një instrument zhvillimi, zhvillim urban, zhvillim social dhe zhvillim ekonomikë për çdo komunitet, për çdo familje të zakonshme. E kështu ne do të shkojmë përpara në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë duke vazhduar që të jemi si kryeqytet, lokomotiva e një zhvillimi të qëndrueshëm. Të jemi modeli i transformimeve rrënjësore. Të jemi rruga në të cilën çdo kush të mund të ecë i qetë e të thotë, jam krenar që jam banor i këtij qyteti. Projektet tona të mëdha të Tiranës europiane flasin vetë, janë aty, presin të realizohen dhe vota e 8 majit do të çlirojë energji të pafundme, ashtu sikundër do të hap rrugë të reja zhvillimi sepse këshilli bashkiak nuk do të jetë më peng i Saliut dhe Ilirit. I Ilirit që në 8 maj duhet të marri një përgjigje të qartë nga qytetarët e Tiranës, nga ata që e votuan në 2007 për të pasur shumicën në këshillim bashkiak dhe për të çuar përpara punët tona. Nga ata që duhet ta refuzojnë në 8 maj si një rast që nuk mund të përsëritet, rasti i kusarisë me bllok në dorë. Ashtu sikundër duhet të refuzojnë edhe atë kandidatin e tij në njësinë tuaj, një kandidat që vjen vërdallë me thes dhe që kërkon të blej votën e qytetarëve. Kërkon të blejë të ardhmen e njësisë, kërkon të blej atë që në fakt nuk duhet të blihet kurrë, fuqinë magjike që ka demokracia. Që përmes votës i jep mundësinë njeriut të zakonshëm që ta gjykojë, ta ndëshkojë, ta çoj në shtëpi qeverinë që nuk i shërben. Na presin ditë të jashtëzakonshme dhe entuziazmi që sot e ndjej kudo në Tiranë. Mbështetja e dukshme, e qartë, e fortë për Aleancën për të Ardhmen dhe për PS. Ky është kryeqyteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve por është njëkohësisht edhe kryeqyteti i ëndrrave dhe i shpresave. Ëndrra dhe shpresa që ne do ti bëjmë realitet sepse asnjë gjë nuk është e pamundur, ndërkohë që ne jemi të gjithë bashkë. Vota në 8 maj është një votë konkrete, është një votë politike. Është një votë për qytetin dhe për atdheun, është një votë për lirinë, është një votë për të drejtat. Është një votë për një kohë të re shqiptare, ku çdo shqiptarë duhet të ndjehet i lirë dhe i pavarur. Pavarësisht bindjeve të tij, pavarësisht ku beson, pavarësisht nga vjen, pavarësisht ngjyrës së tij të lëkurës, pavarësisht gjendjes së tij sociale. Çdo shqiptarë duhet të ndjehet qytetar i respektuar nga çdo lloj qeverie, pavarësisht ngjyrës që ka pushteti. Në 8 maj nxënësit, ata që votojnë për herë të parë, të rejat e të rinjtë duhet të shkojnë në votim për të çliruar mësuesit e tyre, për të çliruar pedagogët e tyre, për të çliruar edukatoret e tyre nga kthetrat e një pushteti që bën presion dhe i kërcënon me bukën e gojës për ti lexuar votën apo për ti marrë votën. Ndërkohë që asnjë mësues e mësuese nuk duhet të tërhiqen nga kutitë e votimit por duhet të shkojnë në kutinë e votimit me premtimin solemn se pas 8 majit kurrë më nuk do të ketë mësues e mësuese, pedagogë e pedagoge që do të ndjehen të kërcënuar në bukën e gojës për shkak të besimit të tyre, qofshin socialistë, qofshin demokratë. Tirana jonë që kemi ndërtuar në këto vite është modeli i bashkëjetesës. Kurrë nuk i kemi ndarë qytetarët në tanët e të atyre, kurrë nuk i kemi ndarë qytetarët në blu dhe në rozë sepse Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe Tirana është kryeqendrave e ëndrrave dh e amaneteve të të parëve tanë, që nga Skëndërbeu tek Isamil Qemali, tek heronjtë e luftës, tek martirët e komunizmit. Tek të gjithë ata që mbi çdo flamur vunë flamurin kuq e zi të Republikës sonë.

KOMENTE