English

Mitrovicë, zbulohet një kosovare pre e prostitucionit, arrestohen dy trafikantë

Mitrovicë, 21 prill 2011, NOA – Policia e Kosovës përmes operacionit policor të koduar “Shpati” zbuloi sot një femër kosovare të rënë pre e shfrytëzimit seksual, e cila mbahej nën kontroll dhe përmes kërcënimit detyrohej nga dy shqiptarë kosovarë të ofronte shërbime seksuale ndaj klientëve që ata i gjenin.

Ishin hetuesit e policisë në Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore, që pas një pune hetimore ranë në gjurmët e trafikantëve të mishit të bardhë duke arrestuar në rajonin e Mitrovicës dy shqiptarë nga Kosova të dyshuar për këtë trafik prostitucioni.

Hetimet mbi këtë trafik nisën dy muaj më parë.

Viktima është strehuar dhe aktualisht ndodhet nën përkujdesje sipas procedurave standarde për viktimat e trafikimit.

Personat e arrestuar janë dy shtetasit shqiptar nga Kosova 22-vjeçari Bashkim. P. dhe 25-vjeçari Adem. P.

Gjatë bastisjeve në vendbanimet e të dyshuarit me emerin Adem P. u gjetën dhe sekuestruan një pistoletë e TT . me kalibër 7.62 mm dhe 37 fishekë të kalibrit 7.62 mm.

Dy personave të arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Prishtinës u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

mit/NOA

KOMENTE