Tiranë, 21 prill 2011, NOA - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço e cilësoi hapjen e Panairit “Albanian Dynamics Fair”, si një provë se pavarësisht efekteve të krizës globale, progresi e ekonomisë shqiptare është i konsiderueshëm duke e bërë atë gjithnjë e më konkuruese në rajon dhe më gjerë. Ministri i Ekonomisë tha se hapja e këtij panairi është një argument praktik që tregon sigurinë që i jep qeveria shqiptare zhvillimit të aktivitetit privat dhe në veçanti të investimeve.
Sipas ministrit të Ekonomisë panairi i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, në bashkëpunim me Unionin e Dhomave të Shqipërisë dhe kompaninë “Smart Advertising” pasqyron nivelin e lartë të teknologjisë dhe i cilësisë që ofrojnë kompanitë pjesëmarrëse.
Zoti Naço theksoi se arritjet që prezantohen në panair janë shprehje konkrete e besimit të investitorëve, se tregu shqiptar po bëhet gjithnjë e më atraktiv jo vetëm në fushën e shkëmbimeve tregtare, por edhe për potencialet për investime të mëtejshme në sektorët prezentë në panair.
Ministri Nasip Naço përmendi edhe arritjet e fundit të paraqitura në raportin e “Doing Business 2011”, ku Shqipëria vlerësohet pozitivisht për reformat e ndërmarra dhe në veçanti për klimën e biznesit.
Naço nënvizoi se “Shqipëria zë vendin e 15- të në botë përsa i përket mbrojtjes së investitorëve”, duke e vlerësuar këtë si një lajm shumë të mirë për të gjithë ata që duan të investojnë dhe të bëjnë biznes në vendin tonë.
Këtu ministri përmendi se fluksi i investimeve të huaja direkte (IHD) në Shqipëri është rritur ndjeshëm, ku nga 258 milionë euro në vitin 2006, kanë arritur në 827 milionë euro në vitin 2010.
Ministri i METE-s Nasip Naço preu shiritin e inaugurimit të panairit “Albanian Dynamics Fair” e më pas vizitoi stendat e tij dhe u takua me përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse, të cilët e njohën ministrin Naço me produktet dhe shërbimet e ofruara.
Në çeljen e panairit merrte pjesë edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka.
Panairi triditor “Albanian Dynamics Fair”, që do të zgjasë nga 21-23 prill është i fokusuar kryesisht në sektorin e transportit, infrastrukturës, energjisë, industrisë etj.
mit/NOA