Tiranë, 21 Prill, NOA - Gazetat shqiptare flasin sërish mbi problemet parazgjedhore, duke cituar faktin sesi nis shtypja e fletëve të votimit. Duke paraqitur më tej, edhe deklaratat e radhës së kandidatëve, ku spikat premtimi i kandidatit Basha se Bulevardi i Tiranës do të shtrihet deri te Bregu i Lumit.
E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Për 21 Janarin/ Dështon komisioni i PD, hetimi shtyhet 3 muaj”, i cili flet për shtyrjen e mandatit të komisionit hetimor parlamentar për ngjarjet e dhunshme të 21 Janarit.
“Nishani emërohet ministër i Brendshëm, ndryshimet në qeveri vetëm pas zgjedhjeve”, është një tjetër artikull i gazetës.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Toni Bler: Rugova më kërkoi ndihmë: Po na vrasin serbët”; “Pasuritë, emrat e 188 zyrtarëve që do hetohen” etj.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Lekën nuk e ftojnë/ Dasma mbretërore e Princit Uilliam”, i cili u pohon lexuesve të kësaj gazete sesi mbreti i shqiptarëve nuk figuron në listën e monarkëve të njohur, të ftuar në dasmën e princit të Uellsit.
“Sekuestrohen pistoletat e truprojave të Berishës, edhe e kryegardistit Prendi, ” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
Për të vijuar edhe me artikullin tjetër me titullin “Videoja shokuese: Libri Kapitali i Karl Marksit në thertore”.
“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Çudia e zgjedhjeve, një votë për një varr”, i cili citon faktin sesi banorët e një fshati në Pogradec kërkojnë nga kryetari i komunës vetëm varreza.
“Monumentet, kundërshtimet e kritikëve të qeverisë” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar çështjes së monumenteve të kulturës, në ditën ndërkombëtare të tyre.
Kurse “Sekretet e zgjedhjeve, i di vetëm Subashi dhe Ristani” flet për procedurat e përcaktuara në ligjin e zgjedhjeve rreth procesit.
E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Kryeministri shmang sherret në PD”, i cili tregon sesi Partia Demokratike ka nxjerrë emrin e nishanit për postin e ministrit të Brendshëm, sot pritet dekretimi nga Presidenti i Republikës.
“Amerikanët, mes prokurorisë dhe policisë” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Fluturon Euro, BSH paralajmëron rreziqet”, “Nis shtypja e 7 milion e 400 mijë fletëve të votimit” etj.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Bulevardi i Tiranës, deri te Bregu i Lumit”, i cili pasqyron deklaratën e paraqitur dje nga kandidati i bashkisë për Tiranën, Lulzim Basha, gjatë një takimi me qytetarët.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “ZMK: Si Bashkia e Tiranës vodhi 100 mijë USD nga taksat”.
Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Pleqëri pa vetmi, nisma e dështuar e Bashkisë së Tiranës”.
Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Enjte, 21 Prill 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: indo@noa.al.