English

Rama: Kanalet e zeza të kusarisë kanë marrë peng ekonominë

Tiranë, 21 prill, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot gjatë takimit të zhvilluar në komunën Dajt në Tiranë, se vendi është marrë peng nga keqqeverisja.

Ai u shpreh se çmimet janë të papërballueshme dhe “kanalet e zeza të kusarisë kanë marrë peng ekonominë”. Në fjalën e tij gjatë prezantimit të kandidatit Kujtim Qefalia në këtë komunë, Rama u shpreh se në 8 maj qytetarët duhet të lirohen nga barra e keqqeverisjes. “Vetëm nafta ka shkuar 1700 lekë. Të gjitha çmimet janë rritur, shteti nuk e ka mendjen tek qytetari, por te përfitimet e tij, e vetmja rrugë është që të shkojmë përpara. Votimi në 8 maj duhet të jetë për të marrë hakun e padrejtësive, për çmimet, papunësinë, keqqeverisjen, kusarinë dhe çmimet vrasëse për njerëzit e këtij vendi”, tha Rama.

Ai shtoi se vendi i ka potencialet për zhvillim ekonomik të qendrueshëm. Ndërsa ka theksuar se aktualisht, çdo produkt ka një kosto të tmerrshme financiare. “Në 8 maj nuk është dita për t’u ndarë, por për t’u bashkuar. Të bashkohemi për interesa për punësim, arsim”, tha Rama.

a.k/NOA

KOMENTE