English

Rikthehet në krye të ministrisë së Brendshme, presidenti dekreton Bujar Nishanin

Tiranë, 21 prill 2011, NOA – Ministri Bujar Nishani rikthehet pas më pak se dy vitesh në krye të dikasterit të Brendshëm, dhe vetëm një ditë pas propozimit të kryeministrit Sali Berisha dhe dekretimit të emërimit të Nishanit në këtë post nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.

Presidenti Topi e dekretoi mesditën e sotme emërimin e Bujar Nishanit, duke dekretuar njëherësh edhe shkarkimin e tij nga posti i ministrit të Drejtësisë.

Presidenti e dekretoi emërimin e Nishanit si ministër i Brendshëm dhe shkarkimin e tij nga posti i mëparshëm duke u mbështetur në nenin 93 dhe 98, pika 1 e Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të Kryeministrit.

Po kështu mesditën e 21 prillit Kreu i Shtetit dekretoi edhe shkarkimin nga detyra të ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, i cili dorëzoi postin e ministrit dhe imunitetin e deputetit në krye të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit, ku Lulzim Basha kandidon për postin e kryebashkiakut të Tiranës si kandidat i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.

Bujar Nishani e mbajti postin e ministrit të Brendshëm deri në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.

Në qeverinë e post-zgjedhjeve të përgjithshme vendin e Nishanit e zuri Lulzim Basha, ndërkohë që Bujar Nishanit iu dha portofoli i ministrit të Drejtësisë, portofol të cilin e mbajti deri sot, kur u shkarkua nga ky post nga presidenti Topi.

Dekreti i Presidentit për emërimin e Bujar Nishanit në krye të ministrisë së Brendshme pritet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë.

mit/NOA

KOMENTE