English

Arvizu-Burgaj: Tejkalimi i sigurisë dhe standardeve të zgjedhjeve të mëparshme

Tiranë, 22 prill 2011, NOA- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj gjatë ditës së sotme priti në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.

Thelbi i këtij takimi ishin masat e marra nga ana e policisë për përballimin dhe mbajtjen e situatës së procesit zgjedhor nën kontroll.

Burgaj i tha ambasadorit të SHBA-ve se, “Në kuadër të këtij programi janë marrë një sërë masash tekniko-organizative, përmes të cilave janë përcaktuar detyrat e strukturave qendrore dhe vendore të policisë për procesin zgjedhor, në mënyrë që qëndrimet dhe veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit të jenë ligjore, profesionale, etike, dinjitoze dhe të paanshme”. Më tej ai ka shtuar se të gjitha njësitë e përfaqësuesit të kanë hartuar plane masash me detyra konkrete për të gjithë shërbimet e policisë për garantimin e rendit publik, ruajtjen e sigurimin e qendrave të votimit dhe të Vendit të Numërimit të Votave, deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Burgaj theksoi se programi i Policisë së Shtetit për procesin zgjedhor të 8 majit do të kalojë në katër faza, ajo përgatitore e cila tashmë ka përfunduar, në të cilën parashikoheshin trajnime dhe specializime për zgjedhjet.

Një tjetër proces i rëndësishëm për këtë fazë ishte trajnimi i punonjësve të policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore, duke vijuar më tej me përgatitjen dhe shpërndarjen e materialit Kujtesë “Libri i Xhepit” me detyrat e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor, ku botimi në 7000 kopje i këtij materiali u mundësua në bashkëpunim me OSBE-në.

Burgaj tha se kjo përgatitje synon kapërcimin e standardeve të zgjedhjeve të kaluara.

Ndër të tjera ai shtoi se masat e policisë do të rriten kryesisht në ditët para zgjedhjeve dhe ato pas tyre.

Nga ana e tij, ambasadori Arvizu, vlerësoi masat e marra nga ana e Policisë së Shtetit dhe i inkurajoi ata në punën e tyre.

Në përfundimi ai tha se, “Në Raportet e OSBE-ODIHR-it është paraqitur roli shumë pozitiv i policisë dhe unë jam dakord me këto raporte, pasi kam konstatuar që në shumë raste policia është gjendur mes dy palëve me bindje të ndryshme politike dhe puna e kryer për zgjidhjen e këtyre situatave nga Policia e Shtetit rezulton pozitive. Punonjësit e policisë kanë manifestuar një qëndrim pozitiv ndaj punës së tyre, detyrës dhe ligjit”.

a.y/NOA

KOMENTE