English

Basha: Bashkia ime do i thotë ndal diskriminimit

Tiranë, 22 prill 2011, NOA- Në zonën e njohur si Bregu i Lumit në kryeqytet është ndalur kandidati i maxhorancës Lulzim Basha për të prezantuar projektin për pastrimin e Tiranës.

Ai e ka cilësuar këtë zonë si më të diskriminuarën në qytet dhe i ka garantuar banorët për shtim të investimeve në zonë si dhe shtim të shërbimeve duke i lehtësuar qytetarët nga taksat.

“Kolektorët nuk do derdhen më në lumë, do përpunohen ashtu siç përpunohen kudo në botë. Ky është parakusht që lumi i Tiranës të kthehet në një çlodhje dhe në një vend ku njerëzit të kenë dëshirë të vijnë. Të jeni të sigurt, që diskriminim për shpërndarje të investimeve nuk do të ketë më”, u tha Basha banorëve.

Ai i garantoi më tej qytetarët se, çdo shtëpi tek Bregu i Lumit nuk do të jetë më një dëshmi diskriminimi, por do të jetë një pasuri, madje i garantoi ata se do u ulë edhe taksat.

Ndër të tjera ai u tha atyre, se menjëherë pas ardhjes në krye të bashkisë, do të filloj shtrimin, asfaltimin e rrugëve, por pasi të jenë mbaruar kanalizimet e çdo lagjeje të Tiranës.

Basha tha se do të bëjë edhe shtrirjen e bulevardit nga stacioni i Trenit, deri tek Bregu i Lumit.

Krahas këtij takimi kandidati i koalicionit të djathtë, sot, në ditën e Tokës, i ka kushtuar rëndësi të veçantë pastërtisë së qytetit.

Basha iu bashkua sot iniciativës së anëtarëve të klubit studentor për edukim mjedisor , për vendosjen e 50 koshave të grumbullimit të mbetjeve në rrugën Hoxha Tahsim.

“Qyteti i pastër mbetet një teori, nëse nuk ndërmerren veprime të shpejta, për të përmirësuar situatën aktuale. Prandaj duhet ndërhyrje e menjëhershme, shtrirja e rrjetit të mbledhjes së mbeturinave në të gjithë qytetin, dhe së dyti, ndërtimi i sistemit të diferencuar. Ndarja në tre kazanë, mbetje plastike, mbetje qelqi, mbetje letre. Këtë skemë përdor sot Lezha, këtë skemë përdor sot çdo qytet evropian i vogël apo i madh. Modernizimi i infrastrukturës mbledhëse dhe monitorimi i rreptë dhe i përditshëm, është shërbimi që do të ofrojmë”, tha Lulzim Basha.

Sipas tij, kjo mënyrë të vepruari për përpunimin e mbetjeve ndihmon në riciklimin dhe në higjenën dhe nivelin e ndotjes në qytet.

a.y/NOA

KOMENTE