Tiranë, 22 prill 2011, NOA- Deputeti socialist Ilir Beqja gjatë ditës së sotme u shpreh se, shqiptarët po varfërohen dita-ditës pavarësisht deklaratave për falje e amnisti.
“Dëgjuam Ridvanin që foli për falje. Fali faturat e energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm. Por, Saliu pranoi që 270 mijë familje shqiptare, pra më shumë se 1/3 e familjeve të vendit nuk kanë të ardhura që të paguajnë këto detyrime jetike. Pas 6 vjetësh në krye të Qeverisë, pas 11 vjetësh në krye të punëve të shtetit, këto janë arritjet Saliut”, u shpreh Beqja.
Sipas tij 1/3 e shqiptarëve nuk kanë të ardhura, pasi 1 milionë janë të papunë, pasi deklaroi ai edhe zyrtarisht pranohet që në 4 vitet e fundit 20 mijë veta e kanë humbur vendin e punës.
Më tej ai tha se, shqiptarët nuk mund ta paguajnë faturën e energjisë sepse që kur Saliu erdhi në pushtet fatura e energjisë është rritur me 60%.
Ai tha se, edhe taksa e sheshtë rezultoi një dështim, duke treguar edhe projektin e qeverisë që e rikthen tatimin progresiv.
Beqja theksoi se edhe në këtë rast Kryeministri Berisha ka bërë hile, pasi do të tatojë progresivisht biznesin ndërsa taksën e tij mbi pagën e tij dhe të oborrit të tij politik, që e përgjysmoi në 2007 nuk e lëviz.
“Sot Ministri i Financave nuk pati guximin të tregojë dështimin në administrimin e financave publike. Në tre muajt e parë të vitit deficiti buxhetor është 120 milionë dollarë, 3 herë më i larët se në 2010 po ashtu tre herë më i lartë se në 09, në shërbim të kusarisë elektorale Saliu po shpërdoron financat publike. Pasqyra fiskale e Ministrisë së Financave përgënjeshtron mrekullinë ekonomike të Saliut. TVSH në tre muajt e parë është 3.3% më i lartë se në vitin 2010, por zyrtarisht sipas INSTAT çmimet janë rritur 4%”, përfundoi Beqja.
Ai tha gjithashtu se të gjithë faktet e përmendura dëshmojnë për keqësimin e ekonomisë dhe jo për rritjen e shumëpërfolur.
a.y/NOA