Tiranë, 22 prill 2011, NOA – Ditën botërore kushtuar tokës, 22 prillin, deputetja e Partisë Demokratike Rajmonda Bulku e shfrytëzoi për të lëshuar një akuzë kundër kryebashkiakut Edi Rama duke thënë se për të është dita e betonit.
“Sot është dita e tokës, por jo për Edi Ramën: për të, sot është dita
e betonit”, deklaroi deputetja Bulku duke rikujtuar se Tirana është qyteti i dytë më i betonizuar në Evropë që nga lulishte është kthyer në betonishte.
Deputetja demokrate tha se përpjesëtimi mes betonit dhe
hapësirës së gjelbër në Tiranë është në nivele alarmante, pasi sikundër tha ajo janë 180 metër katrorë beton për 2.7 metër katrorë hapësirë të gjelbër, për çdo banor të Tiranës.
Ajo akuzoi kryebashkiakun se ka zhdukur shatërvanet në kryeqytet, duke sjellë në vëmendje se i vetmi shatërvan në Tiranë është ai tek Zogu i
Zi, i realizuar nga Lulzim Basha kur drejtonte ministrinë e Transporteve.
Këtu ajo akuzoi Ramën se shkatërroi edhe shatërvanin më të vjetër të Tiranës, i ndërtuar në 1924 tek Parlamenti.
Deputetja Bulku nënvizoi se normat e ndotjes në Tiranë janë afërsisht 3 herë më të larta se të BE-së, dhe vetëm nga ndotja e ajrit vdesin çdo vit 17 foshnja në 1 000.
Zonja Bulku bëri thirrje urgjente për rikthimin e gjelbërimit në kryeqytetin shqiptar.
“Tirana ka nevojë urgjente për gjelbërim si masa ndaj nivelit të lartë të
Ndotjes. Të ardhurat e Bashkisë nga Taksa e
gjelbërimit në 4 vitet e fundit, rreth 17 milionë dollarë, nuk kanë shkuar
për gjelbërim”, tha Bulku.
Ajo hodhi akuza ndaj bashkisë së Tiranës se të ardhurat vjetore nga tarifa e pastrimit, që janë 4.6 milionë dollarë i përdor për të tjera interesa të saj.
“Bashkia pretendon se lahen përditë rrugët e Tiranës, çka nuk rezulton e vërtetë sepse sipas llogaritjeve, 2 autobotet që përdoren për larjen e rrugëve duhet të punonin 40 orë që të arrinin të lanin gjithë sipërfaqen e Tiranës”, tha ajo.
Ajo bëri me dije se mungojnë edhe 1.600 kosha plehrash, pasi Tirana ka 74 km transport urban dhe sipas standardit duhet që për çdo 40-50 metra vijë lineare të ekzistojë një kosh.
Deputetja e PD-së Rajmonda Bulku bëri thirrje që kjo situatë në Tiranë duhet të ndryshojë, dhe sipas saj për këtë duhet që kryeqytetasit të zgjedhin një kryebashkiak të ri.
mit/NOA