English

Dita e Tokës, përpjekje për sensibilizim

Vodafone Albania mbështet projektin: “Riciklojme letrën në universitet, edukojmë komunitetin studentor”

Tiranë, 22 Prill 2011 NOA Update - Në Ditën e Tokës, studentët e Fakultetit Histori Filologji të Universitetit të Tiranës të mbështetur nga kompania Vodafone Albania nisën projektin: Riciklojmë letrën në universitet, edukojmë komunitetin studentor”. Ky projekt konsiston në realizimin e riciklimit te letrës si një element bazë që reformon edukatën mjedisore të studentëve si dhe krijimin e një “Qendre Mjedisore” për monitorimin e riciklimit të letrës në ambientet e Fakultetit të Histori-Filologji.

Studentët u angazhuan në ideimin e fushatës së riciklimit të letrës duke nisur nga përzgjedhja e imazhit më të mirë që do të ngjitet mbi koshat e riciklimit të letrës nëpër zyrat e fakultetit, si dhe dizenjimi i posterave dhe fletëpalosjeve për këtë iniciativë. Aktivitetet zbatohen me asistencën e shoqatës ANEP - Për Politika të Reja të Mjedisit, nën drejtimin e Prof.As. Dr. Romeo Hanxhari.

Ditën e premte, në takimin e punës me studentë dhe pedagogë të fakultetit u përzgjodhën idetë më të mira, për të cilat u ndanë dhe çmime nga kompania Vodafone. Brenda muajit Prill do të krijohet qendra mjedisore, ku përveç riciklimit të letrës, kompania Vodafone Albania do të prezantojë dhe skemën e riciklimit të celularëve me iniciativën e saj më të fundit - për çdo celular që ricikloni do mund të keni një llambë ekonomike.

Pjesëmarrësit në takimin e djeshëm ranë dakord që riciklimi është një kulturë që duhet të nisë nga bankat e shkollës përmes krijimit në Fakultet të një “Qendre Mjedisore” ku studentët do mund të aksesojnë informacione jo vetëm për riciklimin por dhe për çdo iniciativë që ka në qendër mbrojtjen e mjedisit e që do të zhvillohet nga Organizata për Politika të Reja të Mjedisit dhe Zhvillimit Rajonal.

Krijimi i qendrave mjedisore dhe prezantimi i kulturës së riciklimit do vijojë dhe me fakultetet e tjera në Tiranë - tha Anisa Kaltanji, Koordinatore për Përgjegjshmërinë Sociale të Vodafone Albania.

Studentët e fakultetit të Histori-Filologjisë do te krijojnë një link në faqen e internetit të fakultetit për projektin e riciklimit si dhe një faqe të dedikuar në Facebook për këtë iniciativë.

e.t/NOA

KOMENTE