Tiranë, 22 Prill 2011 NOA/ Ervin Tirana - Kapet në Tiranë, pas shpalljes në kërkim, Emiljano Shullazi, si autori i dyshuar për pengim të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese.
Pas kallëzimit të depozituar, nga dy deputetët e Partisë Socialiste e Shqipërisë, dje ka ndodhur një incident rreth orës 18.30 në rrugën “Ylbere Bylykbashi”, në Tiranë, në ambientet e një lokali ku po zhvillohej takimi elektoral i Kandidatit për Minibashkinë Nr.7 në Tiranë.
Bureime zyrtare policore i thanë agjencisë NOA se Emiljano Shullazi, dyshohet se ka penguar subjektin politik Partia Socialiste, duke hequr mikrofonin dhe njëkohësisht qendrën e zërit.
Lidhur me ngjarjen, nga Shërbimet e Hetimit dhe të Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, u bë identifikimi, shpallja në kërkim dhe më pas kapja e autorit, i cili rezultoi Emiljano Hajdar Shullazi, 32 vjeç, me banim në Tiranë.
Policia tha se në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vazhdon puna për të sqaruar më tej rrethanat dhe motivet, për konsumim të veprës penale të “Pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese.
e.t/NOA