English

Invalidët në ditën e nëntë të grevës së urisë, shteti i shurdhët

Tiranë, 22 prill 2011, NOA – Qeveria apo qoftë edhe ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bën ende veshin e shurdhër ndaj kërkesave të invalidëve para dhe tetraplegjikë, të cilët kanë mbërritur sot në ditën e nëntë të grevës së urisë.

Gjendja shëndetësore e mbi 20 invalidëve të ngujuar për ditë të tëra në grevë urie është duke u rënduar së tepërmi, pasi për shkak të grevës ata nuk marrin as ilaçet aq të domosdoshme për t’u ndalur dhimbjet e trupit që u shkakton paraliza.

Mjafton që të kujtojmë se e vetmja përfaqësuese e qeverisë që pa nga afër gjendjen e grevistëve para e tetraplegjikë ishte zëvendësministrja e Punës, Filloreta Kodra, e cila u kërkoi invalidëve të ndërpresin grevën e urisë.

Por, invalidët nuk u dorëzuan duke i bërë thirrje qeverisë që të plotësojë kërkesat e tyre jetike, dhe se vetëm atëherë ata do të dalin nga greva e urisë.

Invalidët këtë herë nuk u dorëzuan për shkak se sikundër ata kanë deklaruar qeveria dhe ministria e Punës nuk i ka mbajtur premtimet, një argument ky që i bën që ata të kërkojnë me grevë urie të drejtat e tyre të nëpërkëmbura.

Por grevistët janë përkrahur në këto ditë edhe nga ndërkombëtarët.

Ambasada angleze dhe Këshilli Britanik janë takuar ditët e fundit me grevistët duke shprehur shqetësimin për shëndetin e tyre.

Ambasada britanike i kërkoi përfaqësuesve të shtetit të takohen me grevistët dhe të mbështesin e t’i japin zgjidhje të menjëhershme kërkesave të tyre jetike.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe Këshilli Britanik në Shqipëri inkurajojnë përmes një deklarate që përfaqësuesit e institucioneve të larta të shtetit të dialogojnë me invalidët për të vënë në vend të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, aq më tepër që kërkesat e tyre janë tërësisht minimale dhe tërësisht ekonomike.

Ky inkurajim bëhet me qëllim që edhe personat me aftësi të kufizuara të jetojnë e të respektohen si të barabartë në një shoqëri gjithëpërfshirëse.

Andaj në këto kushte i takon shtetit t’i ndihmojë ata dhe t’u sigurojë një cilësi jete më të mirë.

Që nga dita e parë e grevës disa prej invalidëve kanë dalë, për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tyre, por ajo që duket në dritë të diellit është se në një kohë fushate elektorale politika nuk ka aspak kohë për kërkesat e tyre.

mit/NOA

KOMENTE