Prishtinë, 22 Prill 2011 - Italia dëshiron ta reduktojë pjesëmarrjen e saj ushtarake në Afganistan dhe Liban, ndërsa ta mbyllë praninë në Kosovë, për shkak të shkurtimeve kryesore buxhetore, tha ministri i Mbrojtjes, Injacio La Rusa.
“Ka disa kërkesa buxhetore që na shtyjnë të reduktojmë praninë tonë në misionet ushtarake ndërkombëtare”, u tha mbrëmë La Rusa gazetarëve në Romë, duke shtuar se Italia do të veprojë në harmoni me partnerët e jashtëm, raporton RFE.
“Në Kosovë i kemi 600 njerëz, por ne po synojmë reduktim në zero”, tha La Rusa. “Ne duhet ta përshpejtojmë përfundimin e këtij misioni”, shtoi ai.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Italia i ka 7300 ushtarë në misionet e huaja.