Krujë, 22 prill 2011 NOA – Janë afruar në shtëpinë e “presës” së tyre, janë futur madje edhe brenda në rrethim dhe pasi i kanë vënë flakën makinës, janë zhdukur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes që shkaktuan.
Kjo ka ndodhur rreth orës 04.30 të mëngjesit, në fshatin Qerekë Krujë ku është djegur në pjesën e përparme automjeti tip Hunday me targa KR 7936 A.
Korrespondenti i agjencisë NOA citon burime policore lokale që saktësojnë se mjeti i djegur është në pronësi të shtetasit O.S., 20 vjeç. Makinën, i riu e kishte parkuar në oborrin e banesës së tij.
Si dhe në rastet e tjera kriminale, policia tha sot se ajo po kryen veprimet e para hetimore dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.
e.t/NOA