Nga Golnaz Esfandiari, Richard Solash
Muajin e kaluar, pas lajmit se udhëheqësit e opozitës iraniane ishin në arrest shtëpie, Amir Hosein Etemadi, një aktivist iranian, u regjistrua në Twitter dhe dërgoi një mesazh në adresën e Twitter-it në gjuhën perse të Departamentit amerikan të Shtetit.
Që nga ajo kohë, Etemadi ka komunikuar në vazhdimësi në Twitter dhe Facebook me Departamentin e Shtetit, në faqet në gjuhën perse.
Etemadi kërkoi nga diplomacia amerikane që komunikimi të jetë i dyanshëm. Përgjigjja e Departamentit të Shtetit në Facebook ishte e ngjashme me deklaratën e Hillari Klintonit: “Uashingtoni, jo vetëm që dëgjon, por dhe reagon”.
Ky është vetëm një nga shembujt mbi rritjen e pranisë së Departamentit amerikan të Shtetit në rrjetet sociale në gjuhë të ndryshme.
Nuk është rastësi një vendim i tillë, kur dihet se përmes YouTube, Facebook-ut apo Twitter-it, u organizuan protestat pro demokracisë në botën arabe.
Hapat e diplomacisë amerikane në rrjetet sociale u bënë të njohur në fjalimin e 15 shkurtit të Hillari Klintonit mbi lirinë e internetit.
“E kemi veshin tonë në terren, duke biseduar me aktivistët në botën digjitale në çdo kohë, edhe atëherë kur ata kanë nevojë për ndihmën tonë. Ne jemi në gjendje të përshtatemi me nevojat, në varësi të llojit të kërcënimeve. Mbështesim në forma të larmishme, çfarë nënkupton se nëse regjimet shtypëse arrijnë të godasin një person apo një platformë, i kemi të tjerat në përdorim”,tha Klinton.
Departamenti amerikan i Shtetit, përveçse në anglisht, është në Twitter edhe në nëntë gjuhë të tjera, mes të cilave edhe në persisht, kinezisht, arabisht, rusisht.
Në gjuhën arabe në Twitter, Departamenti i Shtetit ka vetëm 6000 të regjistruar, një numër modest ky krahasuar me miliona arabë që ishin aktivë në rrjetet sociale gjatë lëvizjeve reformiste. I suksesshëm deri tani është shfaqur Twitter në persisht. Aktivistët e kësaj pjese të botës thonë se komunikimi përmes rrjeteve sociale e zvogëlon distancën që ekziston mes tyre dhe Shteteve të Bashkuara.
“Aktualisht jemi vite drite larg nga koha e administratës Bush, ku ne thjesht merrnim, herë pas here, disa materiale propagande. Tani kemi një komunikim të ndërsjellë shumë pozitiv, me gjithë faktin se njerëzit janë kritikë, janë objektivë dhe jo rrallë i sfidojnë mesazhet e ardhura. Por, ekziston dialogu dhe kjo është shumë pozitive”, thotë Hisham Almirat, një aktivist maroken dhe i njohur për blogun e tij.
Almirat pohon se gjatë revolucioneve në Tunizi dhe në Egjipt, Aleks Ros, një nga këshilltarët kyçë të Klintonit, u është përgjigjur personalisht mesazheve në Twitter apo Facebook.
Madje, Ros tashmë ka krijuar dhe ndjekësit e tij në botën arabe, që i takojnë shtresës së mesme, e cila është më e hapur për të dëgjuar mesazhet amerikane.
Dalia Ziada, aktiviste egjiptiane e të drejtave të njeriut, e cila ka dhe blogun e vet, ngre pyetjen nëse mesazhet e egjiptianëve në Twitter-in apo Facebook-un e Departamentit të Shtetit do të kenë ndikim konkret në politikën amerikane.
Megjithatë, ajo shton se interesi i treguar nga Uashingtoni për atë se çfarë mendojnë të rinjtë arabë, është i rëndësishëm.
Por, Majkëll Pozner, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, tha për Radion Evropa e Lirë se mendimet e atyre që komunikojnë përmes rrjeteve sociale me Uashingtonin, dëgjohen.
“Nuk pretendoj t’ju them se çdokush që i shkruan Departamentit të Shtetit, merr përgjigje. Ajo që presim ne, është se kemi hapur rrugët e komunikimit dhe marrim shumë informacione të dobishme. Mos prisni që çdo herë të merrni përgjigje, por kjo është pjesë e procesit të edukimit të vetë Qeverisë amerikane”, tha Pozner.