Uashington, 22 prill 2011 Update - Presidenti amerikan, Barak Obama, e ka vlerësuar zgjedhjen e Atifete Jahjagës në postin e presidentes së Kosovës si dëshmi "të pjekurisë politike në rritje në Kosovë".
Këto vlerësime, Obama i ka bërë në mesazhin e urimit dërguar presidentes së Kosovës.
Në mesazh, Obama ka theksuar se "Shtetet e Bashkuara mbeten mik i patundur i popullit të Kosovës".
"Ne do t'i mbështesim të gjitha përpjekjet që ju ndihmojnë juve në rrugën përpara drejt qëllimeve të përbashkëta të integrimit të plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike dhe ato ndërkombëtare", citon RFE.
"Në veçanti, ne do të vazhdojmë të punojmë me institucionet tuaja për të avancuar reformat e nevojshme për ndërtimin e një demokracie gjithëpërfshirëse dhe shumetnike, për forcimin e ekonomisë së Kosovës dhe sundimin e ligjit", përfundon mesazhi i presidentit amerikan për homologen e tij kosovare.