English

Obama uron Jahjagën: Zgjedhja juaj, maturi politike e Kosovës

Prishtinë, 22 prill 2011, NOA - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama uroi sot Presidenten e re të Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke deklaruar se zgjedhja e saj me mbështetjen e partive më të mëdha në koalicionin qeverisës si dhe në opozitë, paraqet pjekurinë politike në rritje të Kosovës dhe demokracinë e shtetit të ri i bazuar në barazi për të gjithë.

Në mesazhin e urimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë Barack Obama, presidenti amerikan e garanton presidenten Jahjaga se Shtetet e Bashkuara mbesin mik i patundur i popullit të Kosovës.

“Ne do të mbështesim të gjitha përpjekjet që ju ndihmojnë juve në rrugën përpara drejt qëllimeve të përbashkëta të integrimit të plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike dhe ato ndërkombëtare”, shkruhet më tej në mesazhin e presidentit amerikan.

Zoti Obama thekson se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me institucionet e Kosovës për të avancuar reformat e nevojshme për ndërtimin e një demokracie gjithëpërfshirëse dhe shumetnike, për forcimin e ekonomisë së Kosovës dhe sundimin e ligjit”.

Në fund të mesazhit të tij presidenti Obama e uroi presidenten e Kosovës për suksese në punën e saj dhe përgjegjësitë si Presidente e shtetit të ri.

mit/NOA

KOMENTE