English

Sarkozy: Në rrugën e integrimit të Kosovës keni ndihmën e Francës

Prishtinë, 22 prill 2011, NOA – Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga e ka uruar sot për zgjedhjen e saj në krye të shtetit edhe presidenti i Francës Nicolas Sarkozy. Letrën e urimit të presidentit francez ia dorëzoi presidentes sot ambasadori i Republikës së Francës në vendin tonë, Jean-François Fitou.

Presidenti i Francës shkruan në letrën e tij të urimit se “Prej pavarësisë së saj para tri viteve, Kosova ka bërë reforma të rëndësishme. Por, të tjera duhet ende të bëhen dhe në veçanti për të konsoliduar institucionet, sundimin e ligjit, si dhe të favorizohet integrimi i minoriteteve”.

Presidenti Sarkozy inkurajoi presidenten e Kosovës se duhen kaluar sfidat e rëndësishme në fushën ekonomike dhe sociale, si dhe në marrëdhëniet me Serbinë.

Lidhur me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit presidenti francez vëren se “Ky është edhe objektivi i dialogut të angazhuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

Sarkozy inkurajon presidenten e Kosovës për të realizuar reformat dhe për t’i pranuar sfidat, duke theksuar se këto etapa i vlejnë vazhdimit të integrimit evropian të Kosovës, që aspiron t’i bashkohet BE-së sikurse çdo anëtar tjetër.

“Në këtë rrugë, për të realizuar këtë ambicie, mund të llogaritni në ndihmën e Francës, sikurse keni llogaritur në mbështetjen e saj për ta njohur dhe për ta përforcuar Shtetit tuaj të ri”, garanton presidenti i Francës.

mit/NOA

KOMENTE