English

Shënohet sukses në projektin për ndërmjetësimin në gjykata në Shqipëri

Zv/ministrja e Drejtësisë Brikena Kasmi dhe Fatbardh Çangu nga IFC i cili drejtoi projektin, sot gjatë ceremonisë

Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Qeveria Holandeze mbështesin zhvillimin e zgjidhjeve me ndërmjetësim të konflikteve tregtare. USAID mbështet për ndërmjetësimin në gjykata në Shqipëri

Tiranë, 22 Prill 2011 NOA/ Irma Toptani - Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe USAID, në kuadër të përfundimit të programit “Zhvillimi i Zgjidhjeve Alternative të Mosmarrëveshjeve/Ndërmjetësimit në Shqipëri”, organizuan një ceremoni të përbashkët që synonte evidentimin e rezultateve të arritura nga ky program dhe kalimin e stafetës tek një program tjetër të mbështetur nga USAID, që synon thellimin e kësaj nisme në bashkëpunim me gjykatat.

Programi i Zgjidhjes Alternative të Mosmarrëveshjeve ishte një program 3-vjeçar i financuar nga Qeveria e Holandës. Programi kishte si qëllim të krijonte një mundësi më të shpejtë, më të lirë dhe më të mirë për zgjidhjen e konflikteve tregtare për kompanitë dhe individët nëpërmjet ndërmjetësimit. Gjatë 3 viteve të këtij programi, IFC ka mbështetur përmirësimin e kuadrit legjislativ për ndërmjetësimin, ngritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimin e publikut për këtë formë të re shërbimi. Gjithashtu, programi ka eksperimentuar me sukses një model të ndërmjetësimit të lidhur me gjykatat. Ceremonia e sotme e nënshkrimit Ndërmjetësimi është një veprimtari jashtë-gjyqësore, e ndërmarrë me vullnetin e palëve, në të gjitha çështjet me karakter civil, tregtar, familjar, dhe në disa raste penal. Ligji aktual “Për Ndërmjetësimin në zgjidhjen e konflikteve” që u miratua nga Kuvendi me 24 Shkurt 2011 i jep të drejtën Ministrisë së Drejtësisë që të krijojë dhe të mbajë Regjistrin e Ndërmjetësve dhe të ngrejë Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve. Ligji i detyron gjyqtarët që, në raste konkrete, t’i ftojnë palët t’i drejtohen ndërmjetësimit, duke i dhënë kështu një impuls pozitiv mbështetjes së ndërmjetësimit në Shqipëri, që do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për të përshpejtuar vendim-marrjen dhe rritur transparencën në gjykata.

Ndërmjetësimi i lidhur me gjykatat u eksperimentua nga IFC në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe u mbështet nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Qëllimi kryesor i këtij projekti pilot ishte prezantimi dhe zbatimi i praktikës së ndërmjetësimit si pjesë e sistemit gjyqësor dhe krijimi i një modeli i cili mund të zbatohet më gjerë në tërë sistemin gjyqësor. Ndër aktivitetet e projektit pilot ishte edhe hapja e një zyre ndërmjetësimi brenda Gjykatës, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptar për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Pajtimin e Mosmarrëveshjeve, e pajisur me logjistikën administrative; përzgjedhja dhe trajnimi i një grupi prej 10 ndërmjetësish dhe organizimi i seminareve edhe për gjyqtarë e avokatë në lidhje me identifikimin dhe referimin e çështjeve. Rreth 80 çështje të referuara nga gjyqtarët u zgjidhën nga kjo qendër brenda një periudhe 18 mujore, duke çliruar rreth 8 milion USD në mjete monetare apo asete të bllokuara.

Gjatë ceremonisë u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi midis USAID, Gjykatës Durrës dhe Fondacionit për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për të vijuar mbështetjen dhe zgjeruar bazën e shërbimeve të ndërmjetësimit në këtë gjykatë. Sipas programit të USAID, kësaj nisme pritet t’i bashkohen së shpejti edhe dy gjykata të tjera në vend.

Në ceremoni morën pjesë edhe zv. Ministrja e Drejtësisë Brikena Kasmi, anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Ilir Mustafaraj, përfaqësuesja e IFC në Shqipëri Elira Sakiqi dhe Drejtori i USAID për Shqipërinë Andrew Maybrook.

Sipas zv.ministres “ndërmjetësimi në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është një drejtim i rëndësishëm i reformave dhe masave me efekte pozitive në performancën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi tha se “nevoja për zgjidhjen e konfliktit ka bërë që njerëzimi në kohë të nxisë në praktikë aplikimin e procedurave të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve, procedura këto që me fitimin e eksperiencës janë përmirësuar dhe vazhdojnë të përmirësohen në vijimësi”.

Kasmi vuri në dukje se “tendencat e fundit të shoqërive moderne tentojnë në zgjerimin e gamës të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve faktike qofshin këto dhe të ndërlikuara me qëllim shmangien e rrugës gjyqësore për shkak të kostove ekonomike dhe kohore që prodhon kjo e fundit”.

“Kërkesa në rritje për përdorimin e ndërmjetësimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është një proces kërkimi së paku në fillimet e tij për një mënyrë më të mirë për të zgjidhur konfliktet, qofshin këto brenda familjes, në marrëdhëniet juridiko-civile mes palëve apo ato ndërkombëtare”, - theksoi Kasmi.

Në vijim Kasmi tha: “Unë dëshiroj në mënyrë të veçantë të përgëzoj partnerët tanë ndërkombëtarë qeverinë amerikane, USAID, IFC-në si dhe partnerë të tjerë europianë të cilët asistojnë ministrinë e drejtësisë për përmbushjen e standardeve në arritjen e objektivave strategjik të integrimit. Dëshiroj gjithashtu të përmend dhe rolin dhe kontributin e veçantë që jep shoqëria civile shqiptare, sikurse Fondacioni për zgjidhjen e konflikteve, kontribut i cili me anë të bashkëpunimit synon njësimin e standardeve të dhënies dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarin shqiptar”.

Ilir Mustafaraj, Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

“Zgjidhja e marrëveshjeve me ndërmjetësim është një kërkesë e institucioneve dhe standardeve evropiane. Kjo metodë bëhet edhe më e nevojshme në kohën që gjykatat, kryesisht ato të rretheve të mëdha, kanë një numër të madh konfliktesh për të zgjidhur. Një numër kaq i madh çështjesh sjell edhe vonesa në gjykim dhe drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Unë mendoj se duhet të marrim nisma të tilla dhe nisma ligjore të tjera për të zgjidhur konfliktet jashtë rrugës gjyqësore. Gjithashtu, opinioni duhet të ndërgjegjësohet se jo çdo çështje zgjidhet vetëm me anë të gjykatës. Janë një sërë çështjesh të cilat nuk mund të mbeten vetëm në gjykimin e gjykatës. Objektivi i këtij projekti duhet të shtrihet edhe në gjykata të tjera të vendit, si një përvojë mjaft e mirë dhe nuk duhet të jetë vetëm në çështje tregtare”.

Fatbardh Çangu, drejtues i projektit në IFC

Gjatë fjalës së tij, z.Çangu vlerësoi që në fillim pjesëmarrjen në ceremoni të znj. Elira Sakiqi, përfaqësuese e IFC për Shqipërinë, siç tha ai, “në këtë aktivitet të përbashkët të IFC dhe USAID që synon të japë mesazhin e vazhdimësisë së një nisme të rëndësishme që synon njëherësh përmriësimin e mjedisit rrethues të biznesit dhe rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë në vend.

Z. Çangu duke u ndalur në projektin pilot që u mbështet nga Qeveria holandeze, vuri në dukje faktin se u ngrit dhe u bë funksionale qendra e ndërmjetësimit e lidhur me gjykatën e Rrethit Durrës. “Vetë norma e lartë e çështjeve të zgjidhura me ndërmjetësim nga ato të referuara, mbi 65%, shifër kjo e krahasueshme me atë të vendeve më të zhvilluara në këtë fushë, dëshmon për suksesin e projektit. Çangu evidentoi se “brenda 18 muajve të parë të funksionimit të kësaj qendre janë çliruar mbi 8 milionë USD në formë vlerash monetare apo asetesh të bllokuara, në rreth 70 konflikte të zgjidhura me sukses nga ndërmjetësuesit e kësaj qendre”.

Detlef Palm, Përfaqësues i UNICEF

“Përvoja e krijuar me zbatimin e Marrëveshjes së Ndërmjetësimit në Gjykatën e Durrësit është një përvojë mjaft e mirë. Dua të falënderoj kreun e kësaj gjykate, z. Ervin Metalla për bashkëpunimin që pati gjatë gjithë këtij projekti. Praktika e marrë nga trupa e Gjykatës së Durrësit përbën një nga themelet e konceptit të negocimit në Shqipëri, ç’ka përbën edhe një model për gjykatat e tjera. Aplikimi i një sistemi të tillë i shërben një qeverisjeje të mirë, por edhe biznesit, pasi sjell çlirimin e aseteve dhe potencialeve ekonomike të bllokuara. Është e rëndësishme që ky proces të aplikohet edhe në sistemin e drejtësisë për të mitur”.

Ervin Metalla, Kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës

“Përvoja që pati Gjykata e Durrësit sjell një risi në mentalitetin shqiptar dhe në sistemin e drejtësisë. Praktika e ndërmjetësimit ka kosto të ulët për shtetin dhe për palët, si dhe sjell një rezultat mjaft pozitiv. Duhet të kujtojmë se një proces i zakonshëm gjyqësor ka kohën e vet, në të cilën ai mbahet, por nga ana tjetër kohëzgjatja sjell kosto financiare më të lartë, dhe si në çdo proces gjyqësor kemi një palë humbëse dhe një fituese, duke shtuar në këtë mënyrë edhe koston sociale. Aplikimi i procesit të ndërmjetësimit ishte një përvojë mjaft e mirë për Gjykatën e Durrësit dhe më duhet të falënderoj edhe gjyqtarët që morën pjesë në këtë proces duke punuar me palët. Ishte një provë dhe sfidë edhe për vetë gjyqtarët, si nismëtarë të këtij projekti në vend”.

Rasim Gjoka, Drejtor i Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”

Kam kënaqësinë që jam një nga pjesëmarrësit në këtë projekt që e shndërruan këtë iniciativë në një histori suksesi. Ndërmjetësimi nuk është vetëm një koncept që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë. Ndërmjetësimi në një konflikt është edhe një proces demokratik, pasi ai përmban brenda vetes dialogun, kompromisin, konsensusin, tolerancën dhe pajtimin. Nga ana tjetër, të ndërmjetësosh do të thotë të influencosh pozitivisht në një konflikt. Por gjithashtu, do të thotë t’i shërbesh edhe sistemit, të kursesh fonde dhe kohë, si dhe të heqësh një ngarkesë pune nga institucionet”.

KOMENTE