Sarandë, 22 prill, NOA – Një person është arrestuar gjatë mbrëmjes së djeshme, pasi akuzohet se shfrytëzonte tre fëmijë për grabitje në qytetin e Tiranës dhe në Sarandë.
Policia e qytetit bregdetar njofton se personi i arrestuar dje rreth orës 22:20 është Hekuran Ramazan Shaqiri, banues në lagjen “Kombinat” Tiranë.
Prej disa kohësh, Shaqiri me anë të presionit dhe mashtrimit detyronte të miturit; E S., 12 vjeç, R S., 11 vjeç dhe Y S., 9 vjeç që të grabisnin dyqane dhe banesa. Të tre të miturit banojnë në lagjen “Aleksandër Moisiu” në Tiranë dhe nuk kanë zhvilluar asnjë klasë të sistemit arsimor.
Grabitja e fundit që kanë bërë tre të miturit ka qenë ajo dyqanit të Pranvera Lufti Andonit, 56 vjeçe. Grabitja është bërë dje rreth orës 10:00 në qytetin e Sarandës, në lagjen Nr.1.
Tre fëmijët kanë marrë nga dyqani i saj shumën e 10.000 lekëve. Sipas policisë, tre fëmijët e kanë kryer grabitjen të shtyrë nga personi i arrestuar.
Ndërkohë që në polici ata kanë deklaruar se kanë kryer disa vjedhje të kësaj natyre në Tiranë të shtyrë nga shtetasi.
Për shkak të moshës minorene, tre fëmijët janë lënë të lirë ndërsa ndaj Shaqirit ka nisur procedimi penal për veprën penale “Shtyrje e të miturve në krim”.
a.k/NOA