Nga Behxhet Sh. Shala
Opinioni në Kosovë krijohet, jo në bazë të së vërtetës dhe fakteve por në mbështetje të improvizimeve të realitetit për një përdorim, për realizimin e një qëllimi, rëndom denigrues, njollosës, shkatërrues dhe përjashtues.
Ky mekanizëm “analitik “ bëhet i gjallë nëse parandjen rrezik nga personalitetet e caktuara që gëzojnë besueshmëri dhe që kanë një të kaluar të pastër, kombëtare dhe njerëzore. Disi është bërë shprehi që të reagojnë në bazë të një automatizmi të kurdisur dhe telekomandohen nga qendrat e vendosjes, vendore dhe ndërkombëtare duke u shpërblyer bukur mirë për analizat e tyre e që në të shumtën e rasteve janë gënjeshtra të kulluara dhe manipulime të pandershme.
Ose, thënë më qartë; qëllimi i dezinformatës është të krijohet opinioni “objektiv “ për procese të caktuara politike dhe kombëtare si dhe të rishkruhet roli dhe biografia e bartësve të këtyre proceseve, shpeshherë në formë të aktakuzave apo linçimit publik për disa ndërsa për të tjerët glorifikimit dhe mveshjes me merita të pamerituara krejtësisht. Personat më të sulmuar kohëve të fundit janë Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja. Në fakt, Adem Demaçi është sulmuar vazhdimisht, që nga fillimi i flijimit personal dhe vetmohimit. E kanë sulmuar në kohën e ish Jugosllavisë se po angazhohet për shkatërrimin e saj dhe bashkimin me Shqipërinë. E kanë sulmuar se nuk ka qenë në burgje por në pushime vjetore.
Se do me na marrë në qafë duke na futur në luftë me Jugosllavinë dhe Serbinë. Se është kundër Rambujesë dhe rrjedhimisht kundër krejt botës. E kanë quajtur Gjergj Dimitrov shkaku se e paska propozuar Ballkaninë.
Se qenka spiun i Serbisë prandaj e ka hapur Zyrën e UÇK-së në qendër të Prishtinës duke e sfiduar këtë regjim kriminal pikërisht si Përfaqësues Politik i UÇK. Prandaj edhe nuk e paskan vrarë serbët në ndërkohë që ne dilnim nga “ vrima e miut “ dhe i mësynim Bllacës dhe Tetovës pas së cilave organizonim tubime patriotike :” në mbrojtje të Kosovës dhe përkrahje të UÇK “. Të pafytyrë jemi, pa as një dyshim.
Tash po sulmohet se po e përkrah Hashim Thaçin dhe Qeverinë e Kosovës dhe se është kundër “ miqve “ ndërkombëtarë. Dyfytyrësh jemi, hallall mos na qoftë. Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja po sulmohen se janë blerë nga Hashim Thaçi prandaj e kanë mbyllur gojën. Çfarë idiotësie . Po nga kush po sulmohen, në të vërtetë?.
Bardhyl Metaj të cilin nuk e njoh fare dhe nuk e kam takuar kurrë por për të cilin kam vlerësim të jashtëzakonshëm si analist dhe intelektual i vërtetë shkruan në mes tjerash në gazetën Kosova Sot se :” Qeveria e Hashim Thaçit e ka blerë heshtjen e Adem Demaçit pasi i ka ndarë një pension, veturë, shofer, një banesë në Sarandë dhe se paska edhe sekretareshë “.
Ndërkaq Rexhep Qosjen e ka radhitur si shurdhmemec pasi i paska marrë nga po kjo qeveri 170.000 euro honorar, për 27 veprat e tij të botuara. Sinqerisht e them se nuk ka shkrim të Bardhylit që nuk e kam lexuar dhe konstatimi imi është se kur ky analist i trajton fenomenet pa u lëshuar në konflikte personale, është i papërsëritshëm . Kjo nuk ndodhë në rastin konkret, as me Adem Demaçin e as me Rexhep Qosjen sepse fitohet një përshtypje se është një tendencë për kriminalizimin e tyre intelektual dhe kombëtar. Qeveria Thaçi 1, me njohjen e një gjysmëstatuti tjetër për Adem Demaçin vetëm sa ka përmirësuar gabimet e qeverive Rexhepi, Haradinaj, Kosumi, Çeku të cilat është dashur ta bëjnë këtë . Prandaj edhe është vlerësuar nga të gjithë ata që çmojnë kontributin kombëtar , intelektual , politik dhe njerëzor të Adem Demaçit.
Qeveria e Hashim Thaçit nuk ka fare të bëjë me banesën e Bacës në Sarandë. Adem Demaçi nuk ka fare sekretareshë ndonëse do të ishte krejt normale të kishte, madje jo vetëm sekretareshë por edhe një kabinet pune me personel të nevojshëm.
Këtë të drejtë po e kërkojnë por edhe po e realizojnë edhe disa politikanë djerrakohës dhe keqbërës të cilët e kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë Kosovën, materialisht dhe politikisht. Shembullin më eklatant e keni te rasti i deputetëve të Kosovës që kanë dhe po kërkojnë shumë më tepër privilegje se që ka Baca Adem sot. Shumë analistë kanë dëshirë ta krahasojnë Bacën Adem me Nelson Mendelën. Vetëm në çastet kur këtë e konsiderojnë si mburrje kombëtare. Mirëpo, harrojnë apo nuk duan ta dinë se si është trajtuar Mendela pas daljes nga burgu dhe si është trajtuar Adem Demaçi. Rexhep Qosja qenka fajtor pse qeveria e Kosovës paska ndarë 170.000 euro honorar për 27 veprat e tij gjatë aktivitetit të tij intelektual për më tepër se 50 vjet. Pse mos t’i ndahet ky honorar Rexhep Qosjes në kohën kur për një veturë të një politikani injorant ndahen mbi 250.000 euro?
Apo, kur për një videospot të një një hiç ( fëlliq ) këngëtareje të cullakosur ndahen mbi 100.000 euro?. Krahasojeni tash trashigimin ( testamentin) intelektual 50 vjeçar të Qosjes me ato që i përmenda më lart. Krahasojeni aktivitetin politik dhe kombëtar, gjithashtu mbi 50 vjeçare ( prej të cilave mbi 28 vjet burg të rëndë ) të Adem Demaçit me “ kontributin “ e një politikani injorant i cili po aq kohë ( 50 vjet ) i ka shërbyer Jugosllavisë, Serbisë dhe ka punuar kundër interesave kombëtare. Si edhe për një numër të politikanëve aktual të cilët e kanë shtrirë qafën, në emër të fleksibilitetit. Adem Demaçi kurrë nuk ka heshtur në jetën e tij përveç se kur kjo heshtje ka shkuar në interes të Kosovës, Shqipërisë , shqiptarëve dhe njerëzimit.
Adem Demaçi nuk ka heshtur as:” kur është hëngër pasuli kokrra – kokrra “, kur ka qenë jeta në pyetje. E kjo nuk krahasohet me një veturë të amortizuar, një pension apo sekretareshë të cilën nuk e ka. Kush lexon sot gazeta apo i përcjell mediet elektronike (ndonëse censurohet shumë dhe i ngushtohet hapësira e paraqitjes ) e ka të qartë se Baca Adem nuk hesht fare.
Ndoshta pritjet janë të tilla që Adem Demaçi duhet ta luaj rolin e Avni Rrustemit duke e eliminuar Hashim Thaçin dhe vetëm atëherë të besohet se e “paska përnjëmend “. Të thuash dhe të besosh se Adem Demaçi po u blejka me një pension apo veturë nënkupton se lirisht mund ta merrni dëshminë se jeni i marrë dhe i çmendur. Dhe se jeni i tillë. Definitivisht nuk besoj se Bardhyl Metaj është i tillë. Mund të më demantojë vetëm nëse edhe më tutje këmbëngul se Adem Demaçi ka çmim për të shitur heshtjen e tij. Atëherë vërtet do të binden se ky shkrim i Bardhylit nuk qenka një aksident i rastit analitik por një shkarje e vërtetë intelektuale dhe njerëzore.
Adriatik Kelmendi është gazetar i Koha Visionit ndërkaq detyrimisht shkruan si analist edhe për variantin e shkruar Koha Ditore. E njoh shumë mirë. Është i njohur për emisionin Rubikon ku ka mysafirë të përzgjedhur dhe në të cilin bënë pyetje të përzgjedhura sipas parimit :” sipas vendit , mblidhet kuvendi “.
Në një shkrim në Koha Ditore të titulluar :” Baballarët e kombit, para vrimës së miut “, ai vet e kalon Rubikonin e cinizmit, nënçmimit dhe injorancës. E merr rolin e ekspertit të logjistikës duke u treguar akademikëve, Adem Demaçit si dhe Rexhep Qosjes vendin ku ata aktualisht gjinden, te vrima e miut. Edhe ai shkruan se Adem Demaçi dhe të tjerët po heshtin ngase heshtja e tyre është blerë nga Qeveria e Kosovës dhe Hashim Thaçi. Në këto çaste delikate dhe kritike nëpër të cilën po kalon Kosova, e për të cilën Adriatiku me të drejtë po brengoset fort ( e kaluara e tij i jep këtë të drejtë për brengosje nëse kemi parasysh kontributin e tij politik dhe kombëtar ), Adem Demaçi, në vend se të merret me çështje kombëtare, ai po shkruaka romane për të rritur dhe fëmijë .... Unë nuk e di nëse Baca Adem ndonjëherë të ketë shkruar roman për fëmijë mirëpo Adriatik Kelmendi, si kritik letrar i njohur brenda gazetës Koha Ditore dhe Politika Ekpsresit sigurisht është më i thirrur se unë të japë vlerësime të tilla.
Ndërkaq, sa i përket vlerësimit për “ vrimën e miut “ ku qenkan strehuar dhe po mrizojnë Adem Demaçi, Rexhep Qosja dhe akademikët e tjerë, Adriatiku është njeriu i parafundit në Kosovë që ka të drejtë të shkruajë për “ lokacionin e kësaj strehe kombëtare dhe politike “. Nëse ka dëshirë ta mësoi se kush është njeriu i fundit ( ekspert për vrimën e miut ); mund t’i tregoj, në shkrimin e radhës. Madje, ajo vrimë e miut e ka edhe një çmim të caktuar prej 300 groshësh.
Ilir Mirena është analist i gazetës Express që është varianti i shkruar i televizionit Klan Kosova. Edhe këtë e njoh shumë mirë. Kur ka shkruar si analist i pavarur, ka qenë i shkëlqyeshëm. Kur u bë edhe më i pavarur ka shkruar shkëlqyeshëm për PDK , parti anëtar i së cilës u bë më vonë. Tash, kur u bë edhe shumë më i pavarur po i prenë biletën Adem Demaçit për histori. Me një fjalë po e llogaritë Adem Demaçin si pjesë e së kaluarës, si pullazxhiu i Amerikës. Mirëpo, për dallim nga të tjerët, Iliri po del si çun i kulturuar sepse po e “ nderon “ Bacën. Sepse, së pari po e falenderon për ate çka ka bërë dhe pastaj po i thotë me u katapultuar në histori.
Po e katapulton në histori. Duket se Iliri është vonuar sepse Adem Demaçi ka hyrë në histori përkatësisht në librat e histories. Me gjithsej dy rreshta të shkruar. Për turpin tonë dhe të vet historisë. Edhe Ilir Mirena ka për të hyrë në histori. Vetëm varet si dhe kur?
Si përfundim. EULEX po i burgos ish pjesëtarët e UÇK. Po e kriminalizon luftën. Luftën e kanë kriminalizuar dhe po e kriminalizojnë edhe disa ish komandantë të UÇK duke e shndërruar Kosovën, nga : “ bahqja e babës në tokë të djegur, shkrumnajë krejt “.
Edhe tash flitet se Komandanti Legjendar, Adem Jashari është fajtor për vrasjen e anëtarëve të familjes së tij. Në skenë kanë dalë do komandanta të tjerë politik që deri dje i kanë shërbyer ( dhe ende i shërbejnë ) Serbisë e që kanë shumë para. Adem Demaçi i cili te idealistët ende llogaritet komandant politik i çështjes kombëtare nuk ka para me thasë andaj nuk ka mundësi t’i blejë “ të gjithë analistët e Hajkobillës “. Sot edhe është koha e atyre që përshtaten; shitësve të posteve dhe blerësve të posteve.