English

Vendi i grave është në bordet e drejtorëve

Sigurisht që Franca do të jetë vendi i dytë në botë pas Norvegjisë e cila do të vendosë kuotë për numrin minimal të grave në bordet e drejtorëve. Çfarë mund të mësojmë nga eksperienca franceze?

Kiril Nejkov është drejtues i Projektit për Qeverisjen e Korporatave pranë Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) në Maqedoni

Për momentin në Parlamentin e Francës shqyrtohet projektligji me të cilin parashikohet një kuotë e domosdoshme prej 40% e drejtorëve nëpër borde të jenë gra. Me këtë, Franca do të jetë vendi i dytë me kuotë të këtillë, pas Norvegjisë. Në fillim të vitit 2010, vetëm 11% nga gjithësej 580 pozicione të drejtorëve, në 40 firmat më të mëdha franceze, kanë qenë të plotësuara me gra. Ligji i ri do të krijojë detyrimin që, brenda afatit jo më të gjatë se 6 vjet, të plotësohen së paku 170 pozicione të drejtorëve.

Publikisht drejtorët e përgjithshëm të kompanive të mëdha franceze deklarojnë se planifikojnë që secilin pozicion vakant të drejtorëve të bordeve ta plotësojnë me grua. Nëpër biseda private ata prononcohen se do të kërkojnë profil të caktuar të grave - të cilat do ta zbukurojnë bordin dhe nuk do të flasin shumë e që diskutimet e tyre nuk do të jenë të pakëndshme. Këto komente kanë seksibilitet dhe sigurisht se janë bërë me vetëdije dhe me dozë humori. Por qëndron fakti se ky është një shans për ndryshime të mëdha në sistemin francez të pozicioneve të drejtorëve, dhe se i njëjti mund të nëpërkëmbet. Nuk ekziston ide e mirë e cila nuk mund të ketë një realizim të zvetënuar.

Edicioni i Bashkimit Evropian i titulluar: "Gratë dhe burrat në vendimmarrje 2007" dëshmoi se gratë nuk janë sa duhet të përfaqësuara “në të gjitha pozicionet e fuqisë në pjesën më të madhe të vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian dhe në institucionet e tij”. Kërkimi e ka krahasuar pjesëmarrjen e grave në borde me atë në parlamente, në bankat qendrore dhe biznese. Është konstatuar për shembull në lidhje me sektorin privat, përkrah faktit se gratë marrin pjesë me 44% të fuqisë punëtore, ato që mund të emërohen në pozicione lideri në kompani janë vetëm 32%. Sipas këtij kërkimi në një bord mesatar të drejtorëve në kompanitë e mëdha prestigjioze në vendet e BE-së, 12% të drejtorëve janë gra.

Gjermania është përjashtim i pabesueshëm. Nga 30 kompanitë e DAX, vetëm një kompani ka grua në njërin prej bordeve. E tregojnë me emër dhe mbiemër - Barbara Kuks anëtare e bordit ekzekutiv të Simens. Emërimi i saj ishte aq i rëndësishëm saqë Simens në kumtimin e informatës së ndjeshme të çmimeve - në mënyrë të veçantë e theksoi se anëtari i ri i bordit drejtues të kësaj kompanie është grua, madje theksoi se me këtë "Simens bëhet kompania e vetme nga 30 kompanitë e DAX e cila ka grua në bordin e vet". Përqindja e grave drejtore në të gjitha kompanitë e DAX është 25% ndërkaq aktualisht vetëm 1% e të gjithë drejtorëve të përgjithshëm në Gjermani janë gra.

Ka dy raporte në lidhje me pozitën e grave në Britani të Madhe e që ia vlen të theksohen: "Gjinia dhe Fuqia 2008" dhe "Raportet femërore FTSE" prej të cilëve ky i dyti botohet çdo vit. Që të dy raportet janë pesimistë për sa i përket të ardhmes së grave në institucionet e shtetit dhe në bordet e korporatave të drejtorëve. Raportin e parë e hartoi Komisioni kombëtar për barazi dhe për të drejtat e njeriut. Ai konkludon se ndryshimet e inkuadrimit të grave në institucionet e Mbretërisë së Bashkuar ndodhin me shpejtësinë e kërmillit. Analogjia zvarritet edhe më tutje, madje flitet se nëse vazhdohet me këtë ritëm, do të duhen 200 vjet që të arrihet numri i barabartë i burrave dhe grave në Parlamentin e Britanisë. Shpejtësia me të cilën mund të arrihet pariteti në bordin e drejtorëve duhet të jetë më e madhe, por sigurisht që dallimi është i parëndësishëm, meqë edhe kjo shifër vë në pah atë se edhe me këtë ritëm ndryshimet do të ndodhin në periudha afatgjata. Nevojiten 75 vjet që numri burrave dhe grave në bordet e drejtorëve në Britani të barazohet. Sa për ilustrim, dhjetë vite pas botimit të "Raportit (të parë) femëror FTSE", përqindja e pjesëmarrjes së grave në bordet e drejtorëve në Britani në 100 komponentët e FTSE shënon rritje vetëm prej 5%.

Të kthehemi në Francë. A është cinik konkluzioni se në të vërtetë gratë në Francë do ta fitojnë vendin e tyre në tryezën e lartë të drejtorëve shumë më shpejt se sa gratë e vendeve të tjera të Evropës? Jo, fare nuk është cinik, veçanërisht nëse merret parasysh fakti se në vitin 1804 sipas Kodeksit të Napolonit, gratë ligjërisht trajtoheshin si të mitura, dhe se në vitin 1914 e fituan të drejtën e plotë për votë dhe se madje deri në vitin 1966 nuk kishin mundësi të vazhdojnë me punë pas lidhjes së kurorës pa lejen e bashkëshortit të tyre.

Një kandidate potenciale për drejtoreshë në Francë nga janari i vitit 2010 deri më sot, ka marrë madje shtatë oferta për pozicion drejtori. Paraqet rrezik nëse i pranoni të gjitha. Me këtë do të dëshmoni se edhe kjo ide fisnike, e qeverisë paternaliste franceze në parim, do të përjetojë zvetënim dhe në vend që të rritet barazia e bordeve, do të reduktohet. Do të ketë më shumë gra, por ka mundësi që të jenë të njëjtat. Kuotat tërësisht nuk duhet të flaken, meqë me të madhe do t'ia hapin dyert potencialit për menaxhim që e posedojnë gratë, por duhet të mendojmë se si t’i bëjmë që ato të jenë sa më pak të nënshtruara në manipulime.

* Qeverisja e Korporatave - Projekti për Qeverisjen e Korporatave është bashkëfinancuar nga Sekretariati Zviceran për Çështje Ekonomike (SEKO). IFC është pjesë e Grupit të Bankës Botërore. Qëndrimet e prezantuara janë të autorit, dhe domosdoshmërish nuk pasqyrojnë pikëpamjet e IFC-së

KOMENTE