English

Basha nuk resht me premtimet: Si do të jetë bashkia ime

Lulzim Basha takon banorë të kryeqytetit dhe u premton zgjidhje të shqetësimeve. Kandidati për Kryebashkiak në Tiranë, takon banorët e Bregut të Lumit: Bashkia ime do të dëgjojë dhe do të kthejë përgjigje

Tiranë, 23 Prill 2011 NOA – Kandidati i mazhorancës qeverisëse, Lulzim Basha, edhe sot nuk i ka reshtur dozat e premtimeve që po lëshohen “pa doganë” kohët e fundit në këtë fluks fushate.

Në vargun e takimeve kryesisht me grupe të vogla njerëzish apo dermë më derë në shtëpi, dyqane dhe biznese të tjera, Basha ka pasur në epiqendër krahas premtimeve edhe sulmin ndaj rivalit të tij që prej dhjetë vjetësh mban postin që Basha dëshiron.

Madje zyra për shtyp e z.Basha ka shkuar edhe më tej sot kur ka dërguar për publikim “argumentin” se shurdhëria e bashkisë së Tiranës ndaj kërkesave të qytetarëve i ka detyruar ata të vetëqeverisen.

Zyra për shtyp e Bashës tha se në njësinë bashkiake numër 1, banorët i kanë treguar kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, se janë detyruar të kryejnë ndërtime pa leje pasi bashkia nuk u ka kthyer përgjigje për kërkesat e tyre, sikundër janë detyruar që t’i japin ryshfet policisë bashkiake për ti lejuar të vazhdojnë këto punime.

Kjo praktikë sipas Bashës do të marrë fund me 9 maj dhe qeverisja do të vijë më pranë qytetarëve, duke u kaluar njësive vendore kompetencat për dhënien e lejeve të ndërtimit ne volume të vogla.

“Shtëpia është duke u bërë pa leje dhe është në proces legalizimi. Nëqoftëse t’i na jep fjalën që policët e Bashkisë, nën drejtimin tënd, nuk do të marrin një milion lekë që unë të vazhdoj ndërtimin, ke votën e lagjes tone. Kam kërkuar mbi 5 herë dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje” tha një qytetar.

“Ti flet si i vetëqeverisur, sepse një qytet kur nuk qeveriset do vetëqeveriset. Natyrisht unë nuk jam për vetëqeverisje, unë jam për një qeverisje të përbashkët si qytetarë. Por unë ta kuptoj problemin ty dhe problemi lind te mosdhënia e kompetencave të Minibashkisë. Kjo situatë do marrë fund. Kompetencat për volume e vogla do t’i ketë Kryetari i Njësisë Bashkiake”, tha Basha.

“Turp, turp, turp që mos të shtrohet një copë rrugë, për 500 metra. Na shkurtoi edhe portat sepse tha se do i shtroj dhe 5 metra shtroi dhe e la” tha një banore. “Njerëzit i paguajnë taksat e Bashkisë dhe Bashkia nuk merr asnjë masë për të hequr plerat. Të gjithë këto plehra i shkojnë Lanës dhe shkojnë në qendër të Tiranës” tha një banore i kësaj lagjeje.

“Shikojeni këtë Lanë këtu me këto plehra. Kanë 11 vjet që na tregojnë Lanën e qendrës por Lanën ta tregojnë të plotë siç është e vërteta dhe jo vetëm pjesën që shesin 4 apo 5 herë sa herë vjen periudha e zgjedhjeve. Nuk kam ardhur këtu për të thënë që kam ndërtuar Durrës-Kukës, kam ardhur t’u them që do ndërtoj Unazën e Madhe. S’kam ardhur për t’u thënë që kam hequr vizat, por kam ardhur për t’ju thënë se do heqim këto plehra dhe mbeturina që këtej dhe do ndërtojmë të gjitha këto lagje me rrugë të parametrave europiane me kopshte, çerdhe, shkolla dhe hapësira të gjelbra. Unë nuk vij t’u them se çfarë kam bërë, po vij t’u them se çfarë do bëjmë të gjithë së bashku dhe kështu siç jua u them sot, kështu do të fillojmë ta zbatojmë që nga data 9 maj”, tha Basha.

e.t/NOA

KOMENTE