English

Berisha: Mbështesim çdo projekt që nxit zhvillimin

Ura Vajgurore, Berat, 23 Prill 2011 NOA - Në vijim të takimeve në qarkun e Beratit, Kryeministri Berisha u ndal sot në mesditë në bashkinë Ura Vajgurore. Atje, ai prezantoi dhe shprehu mbështetje për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” në këtë bashki, Thoma Rumnici.

Kryeministri i garantoi banorët se qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Thoma Rumnici për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të mëdha industriale, turistike, bujqësore në Urën Vajgurore.

Këto katër vite motoja jonë do të jetë ujë 24 orë për banorët e qytetit dhe fshatrave të kësaj bashkie, rindërtim i të gjitha shkollave sipas standardeve evropiane, financim i të gjitha potencialeve të mëdha të fermerëve të kësaj zone”, - tha Berisha në tubimin e sotëm.

Duke përmendur faktin se në qarkun e Beratit katër vitet që shkuan ne kemi subvencionuar 2 mijë hektarë blloqe me ullinj, dru frutorë dhe sera, Berisha premtoi: “Unë ju jap fjalën se ne jemi të gatshëm që katër vitet që vijnë të subvencionojmë 10 mijë hektarë dhe të bëjmë që Berati, Ura Vajgurore, Kuçova të jenë një kopsht gjigant i prodhimeve më të shkëlqyera. Së shpejti, brenda këtij muaji, nis ndërtimi i rrugës Lushnje – Berat, ndërkohë këtu mbërrin edhe Boshti i Jugut, nga Belshi në Urë Vajgurore dhe vazhdon drejt Tepelenës”.

Ndryshe nga mitingjet e tjera, Berisha nuk e atakoi asnjëherë Edi Ramën në tubimin e sotëm, duke i a kursyer si rrallëherë akuzat.

e.t/NOA

KOMENTE