English

Dako: Nuk ka zhvillim të Durrësit pa artin

Durrës, 23 prill, NOA – Kandidati për kryetar i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka premtuar mbështetje dhe investime për artistët e këtij qyteti. “Nuk mund të ketë zhvillim të Durrësit pa zhvillimin e artit dhe të jetës kulturore e artistike. Durrësi ka një potencial artistësh të cilët i kanë dhënë jetë jo vetëm kulturës së qytetit, por edhe asaj kombëtare. Jam i vendosur që ky dimension kulturor të zhvillohet akoma më shumë gjatë katër viteve që vinë”, ka premtuar Dako gjatë një takimi të zhvilluar shkrimtarë, piktorë dhe artist të njohur të qytetit bregdetar.

Në fjalën e tij gjatë takimit, Dako ka deklaruar se këto ditë do të përurohet edhe galeria e re e artit figurativ në qendër të qytetit, në të cilën artistët do të kenë mundësi të prezantojnë punimet e tyre jo vetëm në vlera artistike, por edhe për qëllime biznesi. Artistët kanë vlerësuar këto projekte dhe kanë kërkuar që mbështetja të vijojë edhe më gjatë viteve në vijim. Sipas tyre, Bashkia duhet të shikojë mundësinë për mbështetjen edhe të eventeve të tjera në fusha të ndryshme të artit me qëllim që Durrësi të shpalosë tërësisht mozaikun kulturor të tij. Kryebashkiaku Dako premtoi se Bashkia do të mbështesë çdo projekt që synon jo vetëm të ruajë trashëgiminë kulturore të qytetit, por që do të shënojë dhe një hap të madh në drejtim të arritjeve artistike.

a.k/NOA

KOMENTE