English

PS lëshon alarmin: Po manipulohen listat

Tiranë, 23 prill 2011 NOA/ Ervin Tirana - Është zhvilluar sot një tubim i banorëve të Kombinatit pas gjetjes së manipulimeve në listat e Njësisë numër 6 në Kryeqytet. Kandidati për kryetar i Njësisë numër 6 Krenar Cenollari duke qëndruar para një tabele ku ishin vendosur disa prej manipulimeve më pikante me listat mes të tjerash u shpreh: “E kapëm Luzhiana Dine Abazin duke u përpjekur dhe duke manipuluar listat zgjedhore për njësinë nr. 6. Unë i them Luzhiana Abazit që sot është vetëm fillimi i denoncimeve tona publike. Ne do të vazhdojmë të denoncojmë këta persona që janë fantazmë në Kombinat dhe nuk banojnë këtu. Kanë ardhur me kontrata shtëpie të manipuluara kur nuk ekzistojnë fare në Njësinë nr. 6. Ne i themi Luzhianës të largohet e të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga manipulimi i zgjedhjeve.”

Ndërsa deputeti i zonës Saimir Tahiri tha se pavarësisht përpjekjeve për manipulim të votës në 8 maj, do garantohet vullneti i çdo votuesi:

“Siç e shikoni, të gjithë, para nesh ndodhet një tabelë në të cilën janë emrat më sinjifikativë të manipulimit ose të tentativës për të manipuluar procesin zgjedhor me mercenarët elektoral që Saliu, Luli i Saliut dhe Luzhiana këtu në Njësinë 6 po synojnë të bëjnë:, - tha Tahiri duke qëndruar para tabelës sikundër shihni në foto.

Kurse vazhdoi: “Siç e shikoni vetë tabelën janë familjarët e kryetares aktuale të njësisë që janë regjistruar si banues në një garazhd për makinat. Janë familjarët e Monika Kryemadhit të cilët janë regjistruar pa adresë dhe pa banim, por vetë figurojnë në listën e zgjedhësve. Janë familjarët e një drejtori në Ministrinë e Ekonomisë dhe njëkohësisht përfaqësuesi i LSI, të cilët janë regjistruar pa adresë, por figurojnë në listat e zgjedhësve. Janë familjarët e një përfaqësuesi tjetër politik të LSI, të cilët nuk figurojnë banues në njësinë nr. 6, por janë regjistruar si votues”.

Pas kësaj proteste Tahiri tha se do të paraqesë një padi penale kundër Luzhiana Abazin për manipulimin e listave të zgjedhësve pikërisht me këta emra.

Kurse me nota pompoze, tipike të opozitës së këtyre gjashtë viteve të fundit, intensive dhe të lodhshme për shqiptarët, bërë paralajmërimin e radhës:

“Ne nuk do lejojmë që këta qytetarë që janë mercenarë të ardhur të paguar për të manipuluar vullnetin e zgjedhësve, të paraqiten ditën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të paligjshme. Ne do të ndalojmë secilin prej tyre që të marrë pjesë në procesin zgjedhor sepse do të garantojmë integritetin demokratik të zgjedhjeve të 8 majit. Ne do garantojmë që vullneti i qytetarëve në Kombinat, në gjithë Tiranën dhe në çdo cep të Shqipërisë të mos manipulohet”.

e.t/NOA

KOMENTE