English

Rama në Përmet: Më vjen keq për kandidatin e mazhorancës

Përmet, 23 prill, NOA – Nga qyteti i Përmetit, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka theksuar se tetë maji duhet të jetë dita që do të shpëtojë edhe qytetarët që votojnë dhe kandidojnë për PD-në dhe LSI-së. Në prezantimin e kandidatit socialist Gilbert Jaçe, Rama është ndalur dhe në kandidatin e mazhorancës, Kujtim Hoxha, që siç tha ai, e ka pasur mik.

“Më duhet të them dy fjalë për Kujtim Hoxhën, e të cilin e kam pasur mik. Më dhimbset shumë sepse nuk e di për ç’arsye e ka shitur shpirtin dhe për ç’arsye është bërë pjesë e bllokut të kusarisë. Më vjen keq dhe votën për Gilbert Jaçen e kërkoj edhe për të shpëtuar Kujtimin”, tha Rama.

Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama ka theksuar se në tetë maj duhet të votohet për t’i dhënë fund kërcënimeve në administratë. “Pushteti më 8 maj duhet të marrë një mesazh të qartë, kurrë më mësues të kërcënuar me bukën e gojës. Kurrë më mjek të kërcënuar për të menduar siç mendon partia në pushtet. Kurrë më nëpunës të kërcënuar për t’u rreshtuar si ushtarë të partisë”, tha sot Rama.

Ai ju përgjigj dhe deklaratave të kryeministrit Sali Berisha nga Poliçani, duke thënë se “Shqiptarët nuk mund të jenë nën një çati me këtë qeveri të korruptuar”. Rama ka theksuar se në 8 maj duhet të çlirohen gjithë qytetarët. “Në tetë maj është dita për të votuar për zgjedhje më të mira për çdo bashki e komunë, por edhe për të çliruar një herë e mirë, mësuesit, policit, të gjitha ata që ushqehen me një rrogë nga pushteti”, tha Rama.

a.k/NOA

KOMENTE