Armeni, 24 prill, NOA - Banorët e Armenisë kanë shënuar sot 96 vjetorin e vrasjeve masive gjatë kohës së Perandorisë Osmane, ngjarje kjo që vazhdon të mbaj të bllokuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Turqisë dhe Armenisë.
Armenia thotë se pothuajse 1.5 milion armen janë vrarë sistematikisht nga viti 1915 deri më 1917, ndërsa vrasjet i cilëson gjenocid.
Turqia e ka hedhur poshtë mundësinë se ato vrasje arrijnë nivelin e gjenocidit duke thënë se numri i të vrarëve ka shkuar nga 300 mijë deri në 500 mijë armen që është shifër e njejtë me viktimat turke gjatë konflikteve civile që zhvilloheshin në kohën kur Perandoria Osmane shpërbëhej.
Kjo çështje diskutabile ka rezultuar me dekada armiqësi në mes të dy vendeve. Në vitin 2009, të dy vendet nënshkruan protokolle të rëndësishme që kishin për qëllim normalizimin e marrëdhënieve, mirëpo nga ajo kohë procesi ka ngecur.
Armenia e shënon këtë ditë çdo vit më 24 prill. Mijëra njerëz sot marshojnë përmes Jerevanit drejt një memoriali që ju dedikohet viktimave të këtyre vrasjeve.
Presidenti amerikan, Barak Obama, përmes një deklarate të shkruar ka thënë se vrasjet masive paraqesin “një nga krimet më të këqija të shekullit të 20-të”. Mirëpo, për të tretin vit më radhë, Presidenti amerikan nuk e përdor termin gjenocid për t’i përshkruar ato vrasje.
NOA/RFE