English

Basha u kërkon shqiptarëve t’i bëjnë “like” në Facebook

Tiranë, 24 Prill 2011 NOA - Vendose Tiranën të parën! Bashkohu me mua në Facebook! Bashkohu edhe ti me fushatën time! Bëhu anëtar në Facebook!

Janë këto, thirrjet e lëshuara nga kandidati i mazhorancës aktuale, Lulzim Basha, ndaj qytetarëve shqiptarë, duke kërkuar që ata të shtohen sa më shumë në nënfaqen që ka hapur tek rrjeti social Facebook. Në këtë nënfaqe, Basha pasditen e së Dielës kishte arritur të mblidhte afro 207 mijë fansa, kurse rivali i tij z.Rama numëronte sot rreth 95 mijë fansa.

Më poshtë vijon mesazhi i plotë që z.Basha shpërndau sot në adresat elektronike:

Të dashur bashkëqytetarë,

Unë u rrita në Tiranë duke ëndërruar se si mund të bëhej ajo një ditë. Por sot kur unë dhe Aurela shohim qytetin ku jetojmë bashkë me vajzën tonë Dafina, ashtu si shumëkush, nuk jam i kënaqur. Sepse ne të gjithë kërkojmë dhe meritojmë më shumë nga ky qytet, nga kjo shtëpi e madhe e përbashkët. Betejat e vërteta në këtë qytet nuk zhvillohen në teatrin politik të radhës. Ato zhvillohen në çdo familje dhe në çdo shtëpi të Tiranës. Në çdo rrugë dhe në çdo lagje të saj. Në jetën e çdo banori. Këto janë betejat e vërteta. Betejat e njerëzve të këtij qyteti. Betejat për një jetë më të mirë. Betejat tuaja të përditshme do jenë të vetmet beteja për mua. Kjo është arsyeja pse unë kandidoj për Kryetar Bashkie, sepse është koha për t’iu përveshur punës, për të vënë Tiranen të parën, njerëzit te paret.

Vendose Tiranën të parën! Bashkohu me mua në Facebook!

Qyteti ynë dhe ne të gjithë vuajmë nga papastërtia, mungesa e hapësirave të gjelbra, parqeve, vendeve çlodhëse dhe argëtuese. Nxënësit mësojnë me dy turne, në klasa të tejmbushura dhe ndiejnë çdo ditë mungesën e këndeve të lojërave. Studentët nuk i kanë kushtet që meritojnë. Pas diplomimit ata kanë vështirësi të gjejnë një vend pune në profesionin e tyre. Qytetaret dhe bizneset vuajnë nga trafiku i rënduar dhe taksat gjithnjë e më të papërballueshme të bashkisë.

Të gjitha këto janë shqetësime të përditshme dhe nuk zgjidhen as me klithma sloganesh, as me beteja politike.

Bashkohu edhe ti me fushatën time! Bëhu anëtar në Facebook!

Sot është një ditë e mbarë për t’ia nisur punës, për të vënë Tiranën të parën, njerëzit të parët. Për të krijuar vende pune. Për të ndërtuar së bashku të ardhmen europiane të këtij qyteti. Për të pasur një qeverisje lokale më të mirë. Unë do të punoj fort për Tiranën. Sepse ju jeni të parët, Tirana është e para. Le ta hedhim vështrimin tonë drejt mundësive të reja dhe zgjidhjeve të mëdha, të bindur se së bashku do t’ia dalim. Të ngrihemi dhe ti përvishemi punës për qytetin e ëndrrave tona, të ndërtojmë një Tiranë më të mirë. Tirana dhe qytetarët kanë nevojë për një Kryebashkiak që kujdeset për hallet dhe shpresat e njerëzve. Një Kryebashkiak që do t’i përkushtohet me gjithë zemër vetëm Tiranës dhe qytetarëve të saj.

KOMENTE