English

Basha: Universiada do të kthehet në traditë të përvitshme

Tiranë, 24 prill 2011, NOA – Kandidati demokrat për kreun e bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u premtoi studentëve se nën drejtimin e tij Bashkia e Tiranës do të financojë gara sportive, por jo vetëm mes shkolla të Tiranës. Këtë premtim Basha e bëri pas finales së “Universiadës”, ku 14 universitete publike dhe private nga e gjithë Shqipëria garuan mes tyre në sporte të tillë si Atletika, Minifutbolli, Basketbolli, Volejbolli apo Pingpongu.

Duke uruar kampionët Basha garantoi se nën drejtimin e tij, do të mbështetet fuqishëm kjo “Universiadë” që sipas tij do të kthehet si një traditë të përvitshme.

Universiada u fitua nga Universiteti i Sporteve të Tiranës, duke lënë në vend të dytë Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ndërsa në vend të tretë doli Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës.

Kandidati demokrat i siguroi studentët se do të rikthejë të gjitha ambientet sportive dhe do investojë për këtë.

“Studentët e këtij Universiteti të mrekullueshëm kur të mbarojnë dhe do kenë diplomat e tyre, do të kenë po kështu me dhjetëra ambiente të reja sportive, palestra të mrekullueshme si kjo për të kryer aktivitetet e tyre, për t’i dhënë qytetarëve të Tiranës cilësinë e jetës”, premtoi kandidati për kryebashkiak i Tiranës.

Tradita e universiadave në botë është e hershme.

Një veprimtari e tillë është organizuar për herë të parë në vitin 1923 me emrin “Kampionati Ndërkombëtar i Universiteteve”.

Emri i tanishëm, Universiadë nisi të përdorej që nga viti 1959 në lojërat e Torinos në Itali.

mit/NOA

KOMENTE