English

Bëmë o Zot politikan!

Nga Adnan Abrashi

A keni menduar ndonjëherë se çka është ajo forcë e brendshme e njeriut e cila si ambicie e fuqishme, shumicën në këtë vend i shtyn që marrëzisht të dëshirojnë të bëhen politikan?

Sipas vlerësimit tim teorik, një person i tillë që ka këso pretendime, si në vete parakushte duhet të disponoj me disa potenciale të brendshme psikologjike-morale, siç janë: në rend të parë, atdhedashuria, niveli i duhur i arsimimit, inteligjenca, talenti, aftësia elokuente e të shprehurit, prirja komunikative mbresëlënëse në kontakt me të tjerët (karizmi)...

Thënë, shkurt e trup, duhet të kemi të bëjmë me një person njëkohësisht të mençur dhe të urtë, sepse, këto dyja si vlera dallojnë shumë nga njëra-tjetra.

Me mençuri nënkuptojmë operacionet mentale, që nga perceptimi, njohja dhe mbajtja në mend e shumë të dhënave e shënimeve që na ofrohen në çdo çast, e gjeri tek intelekti që na formon si intelektual. Fatmirësisht, këso "dijetar" kemi mjaft dhe në çdo vend. Nga pak edhe në politikë dhe PUSHTET. E urtësia? Urtësia është shumë më e lartë se vetë intelekti dhe tërë mençuria së bashku. Ajo vendos shpejtë dhe drejtë. S'ka gabime dhe nuk frikësohet nga askush, e më së paku nga vetja. Është aftësia e Zotit e ndërtuar gjatë dhe me vrojtim të qartë në rrjedhën e gjërave. Ajo i gjen shkaktarët në pasoja, dallon realitetin nga iluzionet, vlerëson saktë ç'është e domosdoshme për momentin, është e panënshtrueshme para emocioneve dhe instinkteve momentale. Nuk është egocentrike dhe në gjykime është tejet e shpejtë dhe e qartë. Në të s'ka kokëfortësi, por vendosmëri, nuk është imponuese dhe zëdhënëse, por është e patjetërsueshme, sepse në vete përmban forcën e madhe të realitetit.

Disa fusha specifike të aktivitetit politik, përveç vlerave të sipërcekura që duhet t’i ketë një politikan ideal, në raste të caktuar, nga ta kërkohet të jenë edhe EKSPERT të fushave të cakuara të jetës. Fatkeqësisht, me këtë nocion mjaftë shpesh të përdorur nga publicistika dhe krekosjet gjatë prezantimeve të strukturës kadrovike partiake, gabimisht është instaluar në opinion bindja se kjo kategori njerëzish dallohet nga të tjerët vetëm për nga niveli superior i arsimimit të tyre që disponojnë. Mund edhe ta kem gabim, por unë për EKSPERT gjithnjë kam menduar se është ai person që jo vetëm ka titull akademik në lëmin e caktuar, por, përveç saj, që ka edhe një eksperiencë të duhur në atë drejtim specifik; më tej, gjatë karrierës së vetë të pasur profesionale duhet të ketë dhënë rezultate të dukshme punuese, dhe, patjetër se është një person me autoritar dhe i vlerësuar lart, në rend të parë, nga vetë kolegët e profesionit konkret.

Jam më se i bindur se, me këto konstatime të mija të idealizuara utopike për profesionin politikan, që në start do të hasi në mosbesimin dhe ironizimin e arsyeshëm të çdo lexuesit pragmatik Besa-besa, me këtë thuaja ekzagjerim teorik vlerash, disa gjatë leximit edhe do të qeshin me zë. Sepse, kuptohet! Sipas mënyrës se si unë këtu e kam definuar politikanin ideal, ata , duke përdorur eksperiencat e tyre pragmatike, asociativisht do ta krahasojnë atë, me tiparet shumë të familjarizuara si bindje të politikanëve tanë..

Ashtu fliste mixha Dil...!

Në vazhdim si krahasim, këtë herë as që do të tentoj ta bëj ndonjë analizë të mirëfilltë dhe serioze për nivelin e vërtetë të potencialit intelektual të shumicës së politikanëve tanë, sepse, populli ynë aq ka thurur anekdota dhe shaka në llogari të aftësive dhe pseudo-kapaciteteve të tyre poseduese, saqë, çdonjëri prej nesh, menjëherë aty për aty, mund të tregoj ndonjë nga barsoletat e qëlluar ironike për ta.

Për këtë qëllim, unë zakonisht si oazë të pashtershme të interpretimit spirituoz të gjendjes shoqërore-politike tek ne, e kam mikun tim të dashur dhe plakun e urtë popullor, mixhën Dil. Kur në kontest të temës së trajtuar këtu, një herë e pyeta atë se pse e kemi kështu nivelin aq të ultë intelektual, profesional, moral dhe kulturor të shumicës së politikanëve tanë aktual në Kosovë, ai përmes stilit të tij të mirënjohur sarkazmatik, mu ishte përgjigjur: për këtë gjendje ashtu si është, fajet kryesore i kanë: Serbia, ndërkombëtarët dhe nënat me gjyshet tona?!

- Serbia-sepse në Kosovë ka krijuar shumë të burgosur politik, dhe ata tani, pa marrë parasysh aftësitë e veta reale që disponojnë, me çdo kusht tentojnë të jenë edhe faktor të rëndësishëm politik;

- Ndërkombëtarët - sepse për të pasur menjëherë në dispozicion politikanë të gatshëm që më parë të dresuar mirë për dëgjueshmëri dhe servilizëm ndaj tyre, pa marrë parasysh aftësitë që i kanë, gjithnjë favorizonin fundërrinat dhe sahanlëpirësit e kalitur mirë për këtë punë nga sistemi i hershëm socialist njëpartiak;

- Ndërsa, faji tjetër qëndron tek nënat dhe gjyshet tona, sepse ato, duke na përkundër në djep sa ishim foshnje, gjithnjë na këndonin ninulla me përmbajtje përplot urata dashamirësie karrieriste: “ninanana biri im, ninanana u bëfsh komandat, deputet, drejtor, kryetar ...”, dhe tashti, normal që shumica prej nesh, patjetër këto sugjerime si amanete duhet t’i qojmë në vend...

Ashtu fliste mixha Dil...

NOA

KOMENTE