English

Berisha: Basha dhe Hushi do bashkojnë Tiranën me Elbasanin

Elbasan, 24 prill 2011, NOA – Lideri demokrat Sali Berisha nga Elbasani i premtoi qytetarëve elbasanas se brenda 18 muajsh do të jenë dy kryeqeveritarët e Tiranës dhe Elbasanit, Lulzim Basha dhe Durim Hushi ata që do të bashkojnë Tiranën me Elbasanin që do të vihet në jetë me inaugurimin e veprës madhështore të tunelit Tiranë-Elbasan.

Shefi i mazhorancës, duke mbështetur Durim Hushin kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, që garon kundër kryebashkiakut aktual Qazim Sejdini, theksoi se vetëm nga inaugurimi i këtij tuneli ai nuk heq dot dorë gjatë kësaj fushate elektorale, kur sikundër tha, ka lënë mënjanë inaugurimet e tjera infrastrukturore.

Këtu lideri demokrat i bëri thirrje elbasanasve të mos votojnë alternativën e rrugës së vetme, që ka vetëm një qëllim dhe shprehje ‘bllokimin e çdo reforme në shërbim të qytetarëve’.

Gjatë takimit me simpatizantët demokratë në Fushë-Mbret të Elbasanit kryeministri u bëri thirrje elbasansve të rikujtojnë natën e parlamentit, kur kalorësit e rrugës së vetmuar morën peng parlamentin për të mos votuar buxhetin për ndërtimin e tunelit Tiranë-Elbasan.

Zoti Berisha bëri me dije se “Nuk ka gjë në botë që të pengojë ndërtimin e tunelit të Elbasanit”, duke theksuar se për Edi Ramën është më mirë që të mos ndërtohet tuneli, sesa ta ndërtojë atë Sali Berisha”.

“Por tunelin e ndërtoni ju. Ne jemi të vendosur që taksat tuaja t’i kthejmë në rrugë, e shërbime të mëdha në infrastrukturë, për mirëqenien, rritjen e rrogave”, premtoi shefi i qeverisë.

Ai u risolli në vëmendje zgjedhësve të Elbasanit se alternativa e koalicionit qeverisës ka në qendër qytetarin, problemet e tij, shkollat, infrastrukturën, të gjitha këto aq të domosdoshme për qytetarët.

Kryeministri premtoi se gjatë katër viteve të ardhshëm parku industrial i Elbasanit do të njohë zhvillime të reja, pasi sikundër tha shefi i qeverisë “Qarku i Elbasanit do të jetë epiqendër e zhvillimit industrial”.

“Në të katër anët infrastruktura e këtij qyteti do të ndryshojë. Ne nuk do të lëmë zonë turistike të këtij rrethi pa e zhvilluar në të mirën tuaj”, tha Berisha, duke i ftuar qytetarët e Elbasanit të votojnë alternativën e qytetit, pasi qytetarët janë të parët dhe Shqipëria është e para.

“Në tërë historinë e njerëzimit gjithçka e madhe është ndërtuar me mund e djersë, ndaj ne angazhohemi ta realizojmë këtë siç realizuam ëndrrat shekullore, anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave, rrugën e Kombit, dyfishimin e rrogave të ulët, të mesme”, garantoi elbasanasit kryeministri Sali Berisha gjatë mitingut elektoral.

mit/NOA

KOMENTE