English

Berisha premtim për Pashkë: Do ndërtojmë muzeun e artit mesjetar në Korçë

Korçë, 24 prill 2011, NOA – Duke qenë se fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit e gjeti në Jug të vendit, kryeministri Sali Berisha i uroi sot besimtarët e krishterë, katolikë e ortodoksë për festën e Pashkës nga qyteti i Korçës, ku vizitoi Kishën Ortodokse dhe atë Katolike.

Kryeministri në mesazhin e tij i përcolli të gjithë besimtarëve të krishterë urimet më të përzemërta në këtë ditë të bekuar të ngjalljes së Krishtit dhe përjetësisë.

“Ditë kjo, që frymëzon njeriun për një përpjekje të vazhdueshme, për një besim të palëkundur tek Zoti, tek vetja, tek e ardhmja. Shpreh kënaqësinë të festojmë këtë vit Pashkën më mirë se kurrë, më europiane se kurrë, me lëvizje të lirë pa viza, që përbën një arritje të jetës sonë”, tha kryeministri.

E duke marrë në referencë fushatën zgjedhore, shefi i demokratëve tha se ajo përbën një zhvillim të rëndësishëm për demokracinë shqiptare dhe për demokracinë e vendit.

Këtu ai bëri një premtim për besimtarët ortodoksë, se vitin që vjen, qeveria do të nisë ndërtimin e muzeut të artit mesjetar dhe do të lirojë menjëherë të gjitha mjediset që i përkasin kishës e që janë të domosdoshme, të cilat kisha është e vendosur t’i rikthejë ato në identitetin e tyre.

mit/NOA

KOMENTE