English

Bisha: Lulzim Basha ka pasaportë shqiptare, jo amerikane

Tiranë, 24 prill 2011, NOA – Anila Bisha, zëdhënësja e fushatës së kandidatit demokrat për Tiranën përgënjeshtroi akuzat e kryebashkiakut Edi Rama se Lulzim Basha ka pasaportë amerikane dhe se nuk ka deklaruar me transparencë pasurinë e tij.

Zëdhënësja e Bashës deklaroi se kryebashkiaku dhe kryesocialisti Edi Rama nuk kurseu as Pashkët për të përbuzur të vërtetën që rëndon mbi kryet e tij për lënien në harresë të problemeve të mëdha që ka Tirana, e qeverisur prej tij për tri mandate rresht.

Ajo bëri me dije se “Në formularin e paraqitur ka një lapsus, pasi pasaportat amerikane kanë 9 dhe jo 7 shifra, ndërsa pasaporta me numër 0160138 e Lulzim Bashës është pasaportë shqiptare”.

“Kjo pasaportë i përket Lulzim Bashës. Lulzim Basha ka patur gjithmonë pasaportë shqiptare. Lulzim Basha nuk ka patur asnjëherë pasaportë amerikane”, tha Bisha.

Ajo theksoi se Lulzim Basha ka përmbushur me transparencë të plotë të gjitha deklarimet e tij pasurore.

“Këto deklarime janë kontrolluar dhe verifikuar në mënyrë të plotë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se ky është një sulm tjetër absurd kundër të vërtetës”, tha zëdhënësja e kandidatit Basha.

Ajo tha se në 8 maj qytetarët e Tiranës do të japin një mesazh të fortë se ditëve të gënjeshtrave dhe betejave politike u ka ardhur fundi, pasi sikundër tha ajo ka ardhur koha për ta vënë Tiranën dhe qytetarët e saj të parët.

Zëdhënësja e kandidatit Lulzim Basha shprehu keqardhjen se kryesocialisti Rama edhe për festën e bekuar të Pashkëve lançoi sulmin e tij qesharak, fals dhe të dëshpëruar.

“Në vend që të merrej me problemet e shumta të Tiranës, Edi Rama zgjodhi rrugën e sherreve, konflikteve politike dhe përbuzjen e plotë për të vërtetën”, tha zonja Bisha.

mit/NOA

KOMENTE