English

Dy festa për presidentin Topi, Ditëlindja dhe Pashkët

Durrës, 24 prill 2011, NOA – 24 Prilli festa e Pashkës, e ringjalljes së Krishtit shënoi sot edhe një ditë të shënuar për familjen presidenciale shqiptare, ditëlindjen e presidentit të Republikës Bamir Topi.

Pikërisht sot pas mesazheve të urimit për besimtarët katolikë e ortodoksë në Shqipëri, urime me të cilat presidenti shigjetoi edhe politikanët, Kreu i shtetit bashkë me familjen e është nisur drejt Durrësit, aty ku po feston në këto momente 54-vjetorin e lindjes.

Në festën e presidentit Topi përveç familjarëve të tij janë ftuar edhe miq të ngushtë dhe të afërm, të cilët po i urojnë ditëlindjen presidentit Topi.

Kreu i Shtetit po e feston ditëlindjen pranë njërit prej restoranteve më të njohura në qytetin bregdetar të Durrësit, ku presidenti preferon shpesh të kalojë orët e pushimit gjatë fundjavës.

Më herët Presidenti i Republikës vizitoi Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë, dhe atë të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, nga ku uroi besimtarët katolikë e ortodoksë, por edhe politikanët se Pashkët japin mesazhe të forta ringjalljeje dhe rindërtimi shpirtëror, mbi vlerat e përbotshme njerëzore, që sipas presidentit duhet të përcillen seriozisht nga të gjithë.

mit/NOA

KOMENTE