English

Falja fiskale, Konfindustria: Qeveria të nxjerrë aktet nënligjore

Tiranë, 24 prill 2011, NOA – Edhe pse ligji për faljen e borxheve u miratua vetëm me votat e mazhorancës në Kuvend ditën e enjte pasi opozita e bojkotoi atë, Konfindustria e vlerësoi si një masë tejet të rëndësishme miratimin e ligjit të faljes fiskale duke i bërë thirrje Qeverisë të përpunojë e të nxjerrë sa më shpejt të gjitha aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e shpejtë dhe të sigurt të ligjit nga qytetarët dhe biznesi shqiptar.

Administratori i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku e vlerësoi ligjin për faljen e borxheve veçanërisht se ajo jepet për herë të parë në 20 vite.

Ai bëri me dije se vonesa kohore ka sjellë me qindra e qindra milionë euro burime financiare, kryesisht të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, që nuk kanë mundur të hyjnë në Shqipëri në përfitim të drejtpërdrejtë të vendeve konkurente në ekonomi.

Këtu Buxhuku inkurajoi Qeverinë shqiptare të ndërmarre të gjitha veprimet e duhura ndërgjegjësuese mediatike për të shfrytëzuar kohën e kthimit në atdhe të emigranteve shqiptare me rastin e pushimeve verore 2011, të cilët vlerësohen se do të jenë përfituesit dhe kontribuesit kryesorë të faljes fiskale.

“Norma e penaliteteve për qytetarët prej 3 për qind të vlerës së përgjithshme financiare të amnistuar është e pranueshme parë edhe përvojat e vendeve te tjera”, tha Buxhuku.

Ai theksoi se proçedurat ligjore të zbatimit duhet të jenë të thjeshta, të shpejta dhe të sigurta për qytetarët shqiptarë, që do të përfshihen me vetëdashje në procesin e faljes fiskale.

mit/NOA

KOMENTE