English

Maqedoni, dështojnë koalicionet midis partive shqiptare

Maqedoni, 24 prill, NOA - Në Maqedoni kanë dështuar të gjitha nismat për koalicione midis partive politike shqiptare për zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit.

Nisma e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, thirrjet e disa partive për bashkëveprim dhe koalicionime si dhe nisma e fundit e Lëvizjes “ZGJOHU!” me moton “Koha për Bashkim” kanë rezultuar të dështuara.

Në garën zgjedhore do të garojnë të vetme të gjitha partitë, përveç BDI e cila ka paralajmëruar një koalicion me partinë e boshnjakëve.

Shtabet partiake të këtyre partive kanë nisur hartimin e listave zgjedhore të deputetëve. Deri tani jozyrtarisht rreth shtatë parti shqiptare do të konkurrojnë në këto zgjedhje: BDI, PDSH, DR, RDK, PPD, BDSH dhe BDK, por nuk përjashtohen edhe lista qytetare.

Dalja e këtyre forcave politike të ndara në këtë zgjedhje do të mund të rrezikoj votën shqiptare dhe uljen e deputetëve shqiptarë. Deri më 5 maj është afati për dorëzimin e listave të deputetëve nga ana e partive politike dhe më pas fillon fushata parazgjedhore. NOA/INA

KOMENTE