Pogradec, 24 prill, NOA - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zhvilluar një sëtë takimesh në qytetin e Pogradecit, në mbështetje të kandidatit të kësaj force politike, Luan Topçiu. Në takimet e zhvilluara dje së bashku me deputetin e PD-së, Fatbardh Kadilli, Meta ka theksuar se qytetit të Pogradecit dhe në gjithë vendin u duhen drejtues vendor që nuk i shohin bashkitë dhe komunat si pronë private.
“Pogradeci meriton një të ardhme tjetër, meriton një kryetar baskie i cili ta shohë këtë qytet si qytetin e tij dhe Luan Topçiu është një djalë i denjë i Pogradecit. Pogradeci ka nevojë për një qytetar të parë i cili nuk e sheh vetën si pronar të qytetit por si shërbëtorin e parë të qytetarëve të tij, duke u kujdesur që ata të gjithë së bashku të ecin përpara në një të ardhme më të mirë”, tha Meta.
Ai theksoi se Pogradeci ka nevojë për një kryetar bashkie i cili në radhë të parë të vendosë interesat e qytetarëve dhe jo ato të tij sikurse ka ndodhur deri tani.
Nga ana tjetër, Meta ka theksuar se duhet që pushteti vendor të mendojë edhe për papunësinë. Ai u shpreh se duhet “një kryebashkiak i cili të ketë në rendin e parë luftën kundër papunësisë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe këto janë pjesë e programit të Luan Topçiut dhe në mbështetjen që ai do të sigurojë nga qeveria dhe të gjithë partnerët e tjerë që do të mbështesin projektet në këtë drejtim”.
Nga ana tjetër, Meta ka theksuar se ky qytetet ka perspektivë të madhe për zhvillimin e turizmit dhe duhet të ketë plane afatgjata. Kreu i LSI-së u shpreh se Luan Topçiu ka një projekt konkret në këtë drejtim.
“Pogradeci do të jetë një qendër shumë e rëndësishme kombëtare dhe rajonale në fushën e kulturës, turizmit dhe shumë aspekte të tjera. Ndaj sot bashkohem me shumë krenari me mbështetjen që tashmë qyteti i Pogradecit i ka dhënë Luan Topçiut dhe për të do të votojnë të gjithë të majtë dhe të djathtë, sepse ai do të punojë për të gjithë sepse ai nuk do ta përdorë detyrën e kryebashkiakut për t’i ndarë qytetarët e tij të dashur në miq dhe në armiq në klientë dhe të panevojshëm”, tha Meta.
Duke u njohur nga afër me problematikat që shoqërojnë qytet turistike, Meta tha se qytetarët e Pogradecit kanë një altarnativë mjaft të mirë me kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetari”.
“Qyteti i Pogradecit ka nevojë për një menaxher të mirë, ashtu sikurse është z. Luan Topçiu, sepse si biri i këtij qyteti ai ka një vizion të mirë dhe të qartë për ti kthyer vlerat qytetit të Lasgush Poradecit”, u shpreh Meta.
Kreu i LSI-së u shpreh se në zgjedhjet e 8 majit Topçiu do të jetë fitues dhe do të jetë menaxheri i Pogradecit të së ardhmes.
“Ai përfaqëson axhendën e koalicionit për integrim, axhendë e cila konsiston në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë, axhendë e cila konsiston në rritjen e eksporteve shqiptare, në zhvillimin e gjithanshëm social, është një axhendë që e çon Shqipërinë më afër Evropës, është një axhendë që i çon shqiptarët pa viza në Evropë”, tha Meta.
a.k/NOA