Tiranë, 24 prill 2011, NOA – Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) ka reaguar sot ndaj kthimit mbrapsht të tre të moshuarëve çamë në kufirin shqiptar duke i bërë thirrje shtetit grek që të ndryshojë qëndrimin dhe të përqafojë parimet e Bashkimit Europian.
PDIU e cilësoi kthimin e tre shqiptarëve të lindur në Çamëri si një akt të patolerueshëm për një shtet evropian siç është Greqia.
Kjo parti denoncoi rastet e kthimit në kufi të Avdul Sulejmanit, lindur në Varfanj të Gumenicës në vitin 1933, Myfit Rakipit lindur në Sklavë të Filatit në vitin 1935 dhe Sulltane Bajramit lindur në vitin 1940.
Në këtë kontekst Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bëri thirrje edhe ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe trupit diplomatik shqiptar që të reagojnë ndaj këtyre rasteve dhe t’i japin fund heshtjes kur shkelen të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
“Ne shpresojmë që këto incidente të mos jenë një politikë shtetërore në vendin fqinj për të mos lejuar shqiptarët që kanë lindur në Çamëri dhe që janë dëbuar me anë të genocidit dhe spastrimit etnik të vizitojnë shtetin grek”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.
Partia e çamëve kërkon që situata të tilla të mos përsëriten më.
“Në rast përsëritjeje të këtyre incidenteve, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është e detyruar të përshkallëzojë reagimin e saj nëpërmjet protestave masive dhe thirrjes ndaj qytetarëve shqiptarë që të bojkotojnë çdo produkt grek në tregun vendas”, nënvizoi PDIU.
Kjo deklaratë e PDIU-së erdhi pasi dy ditët e fundit në kufirin shqiptaro-grek janë kthyer tre shtetas shqiptar, me dokumentacion të rregullt, vetëm dhe vetëm pse kanë lindur në Çamëri.
Sipas PDIU-së Myfit Rakipi dhe Avdul Sulejmani, i cili ka qenë për vite me rradhë kryetar i shoqatës Çamëria për Durrësin dhe nënkryetar i përgjithshëm i saj, janë kthyer dje paradite në pikëkalimin kufitar të Qafë Botës.
Ata kishin të gjitha dokumentet e kërkuara nga udhëzimi i Bashkimit Evropian, përfshi edhe një shumë të mjaftueshme të hollash.
Siç bën me dije PDIU, pasi u është konfirmuar se kanë të drejtë të hyjnë në Greqi, oficerët grekë kanë vërejtur se vendlindja e tyre ishte përkatësisht Sklavë dhe Varfanj, dy fshatra të Çamërisë dhe i kanë kthyer.
Ndërsa Sulltane Bajrami është kthyer në pikëkalimin kufitar të Kakavijës.
Ajo ka leje qëndrimi afatgjatë në SHBA, duke qenë mbajtëse e Green Card, që sipas legjislacionit grek lejon hyrjen në Greqi.
Edhe për të oficerët e kufirit sapo kanë vërejtur vendlindjen e saj Çamëri nuk e kanë lejuar të kalojë kufirin.
mit/NOA