English

Presidenti: Pashkët, mesazhe për rindërtim shpirtëror edhe për politikanët

Tiranë, 24 prill 2011, NOA Update – Në festën e Pashkës, që përkujton ringjalljen e Krishtit tri ditë pas kryqëzimit të tij, kremtimi më i madh në kalendarin liturgjik për besimtarët katolikë e ortodoksë në mbarë botën presidenti i Republikës Bamir Topi inkurajoi të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe politikanët për mesazhe mirësie e bashkimi, ashtu sikundër predikon edhe feja.

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u uruan sot Festën e Pashkës të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, ortodoksë dhe katolikë.

Çifti presidencial vizitoi fillimisht Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë, ku u takuan me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e tij Anastas Janullatos dhe ku uruan besimtarët ortodoksë shqiptarë për Pashkën ortodokse.

Më pas Kreu i shtetit dhe Zonja e Parë vizituan Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës ku u takuan me Ipeshkvin të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirditën dhe njëkohësisht Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore.

Pas urimeve brenda dy institucioneve të larta fetare në vend, Kryetari i Shtetit në mesazhin e tij për këtë festë të madhërishme të ringjalljes u shpreh se “u uroj besimtarëve Festën e Pashkëve, këtë ditë, e cila vjen në koinçidencë me këtë stinë shumë të bukur, që presupozon jo vetëm rindërtimin fizik, por edhe shpirtëror! Kështu që urime të gjithëve”.

Duke iu referuar stinës së politikës shqiptare që është në vigjilje të zgjedhjeve vendore të 8 majit presidenti theksoi se pashkët sivjet vijnë në një moment shumë të rëndësishëm të jetës politike shqiptare.

Ai nënvizoi se politikanët duhet të jenë seriozë kur shprehen për rindërtim shpirtëror, i cili sikundër tha zoti Topi ka të bëjë me rindërtimin e dy vlerave morale që ka të bëjë me ata që e bëjnë politikën dhe ata që e përcjellin këtë në shoqëri.

Duke marrë shans nga festa e Pashkës, Presidenti Topi inkurajoi që fushata elektorale e shoqëruar edhe me incidente, të përmbyllet sa më qetësisht në mënyrë të qetë, një qetësi që të përcillet edhe në ditën e zgjedhjeve, por edhe administrimin e tyre.

“Më shumë besim tek Zoti në radhë të parë, por edhe tek njëri-tjetri, uroi presidenti Topi duke theksuar se kremtimi i festave fetare është një arritje e jashtëzakonshme e ditëve të demokracisë.

mit/NOA

KOMENTE