English

Të tjerët reduktojnë, Rusia ndërton

Ndërsa Japonia po përpiqet ta kontrollojë rrezatimin, i cili po rrjedh nga centrali atomik, që ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti dhe cunami shkatërrues, Rusia po vazhdon me planet kundërthënëse për krijimin e centralit të parë lundrues atomik në botë

Nga Claire Bigg

Rusia thotë se centralet në det, së shpejti do të sjellin elektricitet, ujë dhe nxehje, për hapësirat më të largëta të planetit tonë.

Frika globale e shkaktuar nga shkatërrimi i rëndë i një centrali atomik në Japoni, ka ndikuar që shumë vende t’i zvogëlojnë programet e tyre bërthamore.

Por, nga ana tjetër, Rusia, po vazhdon me planet e mëdha ambicioze atomike.

Agjencia atomike e Rusisë, Rosatom, synon dyfishimin e kapacitetit bërthamor gjatë dy dekadave të ardhshme. Ajo po ndërton edhe centrale atomike në Indi, Kinë, Kazakistan, Bjellorusi dhe në vende të tjera.

Derisa bota me shqetësim po i ndjek përpjekjet e Japonisë për ta vënë nën kontroll rrezatimin në reaktorët e dëmtuar nga tërmeti dhe cunami në centralin Fukushima, Rusia po përgatitet ta lansojë projektin e parë në botë, atë të centralit atomik lundrues.

Por, këto plane janë kundërshtuar nga organizata Greenpeace në Rusi. Në këtë aspekt, kryesuesi i saj, Vlladimir Çuprov, tha:

“Kjo ide është krejtësisht absurde, e rrezikshme dhe jomorale, pas asaj që ndodhi në Fukushima”.

Ky central lundrues atomik, që parashihet të jetë operacional deri në fund të vitit të ardhshëm, do të jetë i ankoruar, afër bazës ushtarake në gadishullin Kamçatka, në Lindjen e Largët ruse.

Megjithëqë rajoni është i rrezikuar nga tërmetet dhe cunami, shefi i agjencisë Rosatom, Sergei Kirijenko, këtë javë siguroi se kapaciteti do të jetë i projektuar për t’i qëndruar skenarit eventual të ngjashëm me Fukushimën.

“E di se Fukushima ka shkaktuar shumë thashetheme zemëruese, përfshirë edhe centralin atomik lundrues. Disa njerëz thonë se nëse centrali në tokë nuk mund t’i qëndrojë cunamit, çka do të ndodhte me centralin mbi ujë?! Por, asgjë nuk do të ndodhë. Çdo gjë do të jetë në rregull”, i tha televizionit rus, Sergej Kirijenko.

Rosatomi ka plane që t’i ndërtojë 12 centrale atomike të vogla në det dhe shpreson që disa prej tyre t’i shesë.

Planifikohet se çmimi i ndërtimit të një centrali të tillë do të jetë afro 550 milionë dollarë, që është një çmim shumë më i ulët se çmimi i një reaktori tradicional.

Por, mbrojtësit e ambientit thanë se projekti është i tillë që mund të pritet të ndodhë shkatërrimi.

Grupi për mbrojtjen e ambientit, Belliona, tha se teknologjia e përdorur në centralet e detit, që është e bazuar në teknologjinë e nëndetëseve të Luftës së Ftohtë, ka shkaktuar së paku 10 incidente në nëndetëset sovjetike.

Planet e këtilla mund të jenë të ndjeshme ndaj zgjerimit dhe terrorizmit.

Vlladimir Çuprov nga organizata Greenpeace, shprehet:

“Centralet e këtilla mobile përmbajnë një numër të madh të rreziqeve. Para së gjithash, transportimi mund të jetë i rrezikshëm. Një reaktor i tillë lundrues në det mund të jetë cak ideal për sulme terroriste. Ka edhe rrezik, që një tonelatë e uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë, të bjerë në duar të gabuara”.

Kritikët thanë se vendet që deri tash kanë shprehur interesim në blerjen e centraleve atomike lundruese, Kina, Koreja Jugore, Filipinet, Kili dhe Brazili, kanë vetëm përvojë të kufizuar në operimin e kapaciteteve bërthamore.

Izolimi i hapësirave të konsideruara për këto centrale, po ashtu, shkaktoi shqetësime për siguri.

Mark Hibbs, ekspert nga Berlini, për Institutin për Paqe Ndërkombëtare Karnegi, tha se Shtetet e Bashkuara dhe një numër i vendeve evropiane, tashmë i kanë tërhequr vërejtjen kompanisë ruse Rosatom, për rreziqet e furnizimit me centrale atomike, që ndërtohen shpejt, për vendet në zhvillim.

Pos kësaj, organizata Greenpeace tërhoqi vërejtjen se shumica e vendeve në listën e klientëve potencialë të firmës Rosatom, aktualisht po synojnë qasje në teknologjinë e nëndetëseve atomike dhe mund t’i keqpërdorin reaktorët për arritjen e qëllimeve ushtarake. /RFE/

KOMENTE