English

Topalli në Shkodër: Berisha realizoi prioritetet

Shkodër, 24 prill 2011, NOA – Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli në vijim të fushatës elektorale ku prezantoi në komunën Kelmend të Shkodrës kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të kësaj komune, Gjeto Dukaj deklaroi se kryeministri Sali Berisha ka bërë gjithçka që të realizohen prioritetet e rëndësishëm të liberalizimit të vizave, rritjes ekonomike dhe të pagave.

“Sali Berisha ka bërë çdo gjë të mundur që të mos lejojë që edhe për një çast ta shkëpusë nga axhenda e rritjes ekonomike të vendit tonë, integrimit të vendit tonë, e heqjes së vizave të vendit tonë, e rritjes së rrogave, e rritjes së pensioneve dhe sjelljes së rrugëve të reja, e përmirësimit të infrastrukturës dhe transformimit rrënjësor që vendi ynë ka bërë gjatë kësaj periudhe”, theksoi zonja Topalli.

Duke vlerësuar projektet e kandidatit Dukaj për zhvillimin dhe përmirësimin e jetesës së banorëve të Kelmendit, Kryetarja e Kuvendit garantoi mbështetjen e mazhorancës për financime dhe investime të mëtejshme në rrugë, shkolla, qendra shëndetësore.

Nënkryetarja demokrate, e zgjedhur nga votuesit shkodranë foli edhe për zhvillimin e potencialeve turistike të zonës së Kelmendit, e pasur me burime të mrekullueshme natyrore.

Ajo u premtoi zgjedhësve të Kelmendit se “që nesër dua të punoj me kryetarin e ardhshëm të komunës së Kelmendit Gjeto Dukaj për të bërë malësinë në përgjithësi, por Kelmendin në veçanti një vend të vizituar nga turistët, një pikë turizmi shumë të veçantë për Shqipërinë dhe këtë do ta bëjmë”.

Ajo theksoi se mazhoranca mbetet e vendosur për të arritur objektivin e shpallur nga kryeministri Sali Berisha, që Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar në vitin 2017.

“Vizioni dhe projektet tona janë ambicioze. Janë të guximshme. Projektet dhe premtimet tona janë gjëra që ne i vendosim në kalendar dhe i qëndrojmë me ndershmërinë më të madhe. Unë kam bindjen e thellë se ndershmëria është politika më e mirë. Ndershmëria është gjëja që të çon në rrugën më të sigurt pavarësisht nga pengesat që të pandershmit na vendosin gjatë kësaj rruge”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli.

mit/NOA

KOMENTE