Tiranë, 24 prill 2011 – Tre shtetas shqiptarë në moshë të thyer, janë riatdhesuar gjatë 48 orëve të fundit nga policia kufitare greke, pasi sipas të kthyerve, e kishin vendlindjen e shënuar në pasaportë, si Çamëri.
Shtetasit shqiptarë të kthyer në kufirin shqiptaro-grek janë Avdul Sulejmani, lindur në Varfanj të Gumenicës në vitin 1933, Myfit Rakipi lindur në Sklavë të Filatit në vitin 1935 dhe Sulltane Bajrami lindur në vitin 1940.
Sipas autoriteteve shqiptare, ata paraqiteshin me dokumentacion të rregullt, kurse sipas deklarimit të të treve, ata janë refuzuar vetëm pse kanë lindur në Çamëri.
Myfit Rakipi dhe Avdul Sulejmani, i cili ka qenë për vite me radhë kryetar i shoqatës Çamëria për Durrësin dhe nënkryetar i përgjithshëm i saj, janë kthyer dje paradite në pikëkalimin kufitar të Qafë Botës.
Ata kishin të gjitha dokumentet e kërkuara nga udhëzimi i Bashkimit Evropian, përfshi edhe një shumë të mjaftueshme të hollash.
Pasi u është konfirmuar se kanë të drejtë të hyjnë në Greqi, oficerët grekë kanë vërejtur se vendlindja e tyre ishte përkatësisht Sklavë dhe Varfanj, dy fshatra të Çamërisë dhe i kanë kthyer.
Sulltane Bajrami është kthyer në pikëkalimin kufitar të Kakavijës. Bajrami ka leje qëndrimi afatgjatë në SHBA, duke qenë mbajtëse e Green Card, që sipas legjislacionit grek lejon hyrjen në Greqi. Oficerët e kufirit sapo kanë vërejtur vendlindjen e saj Çamëri nuk e kanë lejuar të kalojë kufirin.
Lidhur me këto ngjarje, ka reaguar sot edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e cila mbron të drejtat e çamëve dhe pronave të tyre,
“Ne shpresojmë që këto incidente të mos jenë një politikë shtetërore në vendin fqinj për të mos lejuar shqiptarët që kanë lindur në Çamëri dhe që janë dëbuar me anë të genocidit dhe spastrimit etnik të vizitojnë shtetin grek”, - deklaron Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Njëkohësisht, ajo i bën thirrje Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Edmond Haxhinasto dhe trupit diplomatik shqiptar që të reagojnë ndaj këtyre rasteve dhe t’i japin fund heshtjes kur shkelen të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
Po ashtu, PDIU i bën thirrje shtetit grek që të ndryshojë qëndrimin e vetë dhe të përqafojë parimet e organizmit në të cilin bën pjesë, Bashkimit Evropian. Sipas PDIU, veprime të tilla janë të patolerueshme për një shtet evropian: “Situata të tilla nuk duhet të përsëriten më”.
Më tej, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet tha se “rikonfirmon qëllimin e saj për një vizitë turistike në Çamëri me të gjithë të moshuarit që kanë lindur në ato troje, sipas të gjitha rregullave në fuqi”.
Kurse paralajmëron: “Në rast përsëritjeje të këtyre incidenteve, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është e detyruar të përshkallëzojë reagimin e saj nëpërmjet protestave masive dhe thirrjes ndaj qytetarëve shqiptarë që të bojkotojnë çdo produkt grek në tregun vendas”.
e.t/NOA